Këshilli Prokurorial i Kosovës, i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pas sulmeve që ky i fundit ia bëri mbrëmë sistemit të drejtësisë.
KPK-ja tha se deklaratat e Kurtit kanë përmbajtje tendencioze, të pavërteta e linçuese të Institucionit të Prokurorisë dhe prokurorëve të saj.
“KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit”.
“KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, KPK-ja tha se do të mbështesë dhe do ta mbrojë me të gjitha mjetet ligjore punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Kosovës, teksa i bëri thirrje qeverisë që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presioneve të drejtpërdrejta, që sipas KPK-së, bien në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”.
“KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara dhe as këto deklarata dhe veprime jokorrekte, joetike dhe të padinjitetshme nuk do të arrijnë të zbehin punën e prokurorëve”, thuhet më tej në reagim.
Më tej, Këshilli Prokurorial tha se Prokurori i Shtetit do të punojë për ndriçimin e të gjitha rasteve ndaj të gjithë zyrtarëve të dyshuar “dhe të veshur me pushtet, pavarësisht tentativave për ndërhyrje”.