Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kërkuar formimin e një Qeverie tranzitore gjithëpërfshirëse, siç thotë ai, për të dalë nga situata e rëndë politike që është futur vendi pas sanksioneve nga Bashkimi Evropian.

Këto komente Berisha i ka bërë në një intervistë për portalin “FrontOnline”.

“Mendoj që përkundër faktit se ka një tendencë nga partitë opozitare, të cilat kanë dalë me tri opsione për zgjidhjen e situatës politike. AAK-ja po kërkon mocion dhe qeveri gjithëpërfshirëse. Mendoj që duhet të shkohet me qeveri tranzitore, gjithëpërfshirëse, LDK po e takon shoqërinë civile me gjetë një rrugë pa Kurtin, kurse PDK ka vendos një moratorium sa i përket votimit të ligjeve ndërkombëtare , që do të duhej të çonte tek një kompromis politik”, thotë Berisha.

Ai ka shtuar se Qeveria gjithëpërfshirëse duhet ta çojë deri në fund mandatin e Qeverisë “Kurti”.

“Ky kompromis do të duhej të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse. Mendoj se kjo qeveri duhet të mbahet në pushtet, me i mbush krejt detyrimet dhe obligimet që i ka marrë në fushatën zgjedhore. Ka krijuar detyrime edhe me marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe Ohër. Tani po e sheh se me këto ujdi e ka cenuar sovranitetin e vendit. Partneret nuk bëjnë tolerancë me marrëveshjet ndërkombëtare”, ka potencuar Berisha për Front Online.

Duke folur për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të vendit, deputeti i PDK-së thotë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejtë.

“Kurti duke u arsyetuar ta krijojë Udhëzimin Administrativ përmes mbajtjes së zgjedhjeve do të jetë një precedent i rrezikshëm që të ardhmen do ta cenoj Kushtetutshmërinë. Duhet të mbahen zgjedhjet atje urgjent, por kur nuk ka legjitimitet pjesëmarrja dhe iniciativa nuk është aspak serioze tani”, tha Berisha.

Berisha ka folur edhe për kushtet e BE-së për shtensionimin e situatës në veri.

 “Bashkimi Evropian i ka vendosur tri kushte për shtensionimin e situatës. Ato kushte nuk bien ndesh me Kushtetutën. As largimi i njësiteve speciale, ata duhet të largohen, nuk guxojnë të qëndrojnë aty nën presion. Kryetaret munden me qëndru në objekte tjera. Organizimi i zgjedhjeve është e vetmja zgjidhje atje. Kushtet e BE-së ishin korrekte, por mënyra si i pranoj Qeveria jonë nuk ishte korrekte. Policia nuk guxon të largohet me përqindje. Qeveria po mundohet të organizojë zgjedhje përmes peticionit. Ligji për zgjedhjet lokale e përcakton dhe e koordinon mbajtjen e zgjedhjeve lokale”, tha Berisha.