Ambasadorja amerikane Angela Aggeler, gjatë vizitës së saj në vendkalimin kufitarë Bogorodicë, së bashku me ministrin Oliver Spasovski, theksoi se bashkëpunimi me MPB-në dhe Qeverinë ka rezultate pozitive për qytetarët.

E pyetur për qëndrimin e saj në lidhje me ndryshimet kushtetuese, Aggeler theksoi se ajo nuk mund të fletë për këtë, por qytetarët duhet t’u bëjnë të ditur politikanëve se duan të jenë pjesë e BE-së.

“Vërtet mendoj se nuk më takon mua të flas se si po shkon procesi i ndryshimeve kushtetuese. Unë jam ambasadore e Shteteve të Bashkuara. Ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian, por kur shoh kufirin dhe numrin e madh të automjeteve që hyjnë e dalin, besoj se prosperiteti dhe siguria e këtij vendi qëndron në pranimin dhe integrimin e tij në Evropë dhe shpresoj shumë që politikanët nga të gjitha partitë politike në vend do të punojnë për realizimin e saj.

Kufiri me Greqinë na kujton vendimet e vështira që ka marrë tashmë ky vend dhe e di që është edhe e vështirë, por inkurajoj qytetarët që t’u bëjnë të ditur politikanëve të tyre se duan të jenë pjesë e BE-së”, tha Aggeler.