Kosova ishte ndër shtetet më entuziaste për t’iu bashkuar sanksionimit të Rusisë pasi nisi agresionin e saj në Ukrainë, pavarësisht se kjo e fundit s’ia njeh shtetësinë. Pas kësaj mbështetje që i dha Kosova, përfshirë edhe financimin e një programi që strehon gazetarët ukrainas në Kosovë, u rritën zërat se Ukraina duhet të ndryshojë pozicionin e saj ndaj Kosovës edhe për faktin se Serbia refuzoi t’i bashkohet Perëndimit për t’i vënë sanksione Rusisë.

Samitet ndërkombëtare – apo ngjarjet e ngjashme që mbledhin liderë – u bënë hapësira për takimet e krerëve kosovarë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky ku shkurtimisht mund të jetë diskutuar edhe çështja e njohjes së pavarësisë.

E para ishte presidentja Vjosa Osmani, e cila shtrëngoi duart me Zelenskyn në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Moldavi në qershor.

Për shkëmbimin e disa fjalëve, Osmani më pas shkroi në Twitter, duke kujtuar se ngjashëm edhe Kosova ka përjetuar agresionin serb më 1999 sikurse Ukraina sot agresionin rus.

“Në momentet kur ka rëndësi se ku qëndroni, unë i shpreha Presidentit Zelensky solidaritetin tonë të plotë. Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund ta pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë. Rroftë Ukraina!”, kishte shkruar atëherë Osmani.

Ndërkohë, mbrëmë në Athinë pati një duarshtrëngim edhe mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit ukrainas. Të dy ishin të ftuar të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në një darkë joformale ku temë diskutimi ishte agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë dhe e ardhmja europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainës e Moldavisë.

Kryeministri Kurti publikoi një video të shkurtë nga ky takim me Zelenskyn. Nuk dihet ende nëse do të ketë takim të ndarë Kurti -Zelensky sot gjatë ditës në Athinë.

Por, një takim kokë më kokë e pati Zelensky me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit në njoftimin për këtë takim tha se kanë folur edhe mbi “situatën në Kosovë”, derisa ka theksuar se vendi i tij e respekton integritetin territorial të Ukrainës. Ndërsa, Zelensky vuri theksin se të dyja vendet e kanë të ardhmen në shtëpinë europiane.

Këto takime ndodhën në kohën kur sërish u kthye në diskurs çështja e ndryshimit të pozicionit të Ukrainës karshi Kosovës.

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Ukrainës, Oleksandr Merezhko, dha nënshkrimin e tij në një letër ku flet për sovranitetin e Kosovës, që iu dërgua tri kryeqendrave për të kërkuar një qasje më të barabartë nga Brukseli, Washingtoni e Londra ndaj Kosovës e Serbisë.

Pas kësaj u tha se ka zëra në Ukrainë që duan ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ditë më parë pati thënë se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Megjithatë, Tolkach theksoi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak se çështja e “krijimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i takon presidentit të Ukrainës”.

Edhe Merezhko për T7 kishte thënë më 7 gusht se “njohja e Kosovës nga Ukraina po diskutohet në Kiev”.

Sidoqoftë, nuk dihet se çfarë do të prodhojë shtrëngimi i duarve mes liderëve kosovarë dhe Zelenskyt, i cili e ka fjalën përfundimtare rreth çështjes së njohjes.