Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në profilin e saj në Twitter, ka shprehur sot shpresën se të gjitha partitë në Kuvendin e Maqedonisë do të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.

Njoftimi i kryetares së KE-së vjen në kuadër të takimit të saj me kryeministrin Dimitar Kovaçevski të mbajtur dje në Athinë, si dhe në margjinat e darkës joformale me rastin e 20 vjetorit të Deklaratës së Selanikut nga Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

“Shkëmbim i mirë i mendimeve me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. E përshëndeta paraqitjen e amendamenteve kushtetuese nga qeveria e tij në parlament. Shpresoj se të gjitha partitë do t’i mbështesin, për të avancuar rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut i përket BE-së”, shkroi Von der Leyen në Twitter.

 

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA të publikuar sot, takimit të kryetares së KE-së i është referuar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në të ai thotë se ai dhe Von der Leyen diskutuan disa tema të rëndësishme. E para, siç theksoi ai, kishte të bënte me ndryshimet kushtetuese.

“Tema e parë sigurisht që ishin ndryshimet kushtetuese që tashmë janë në procedurë parlamentare dhe për të cilat të dy u shprehëm të kënaqur që procesi ka nisur. Procesi ka filluar me sukses dhe shpresoj, ashtu siç shpreson Bashkimi Evropian, që në Kuvendin tonë të ketë vizion, të ketë guxim, që deputetët të marrin vendim të rëndësishëm lidhur me vazhdimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, thotë Kovaçevski për agjencinë shtetërore të lajmeve.

Një temë tjetër për të cilën kanë biseduar, të cilën Kovaçevski e thekson, është plani për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

“E dini që bëhet fjalë për një plan që u promovua personalisht nga Presidentja e Komisionit Evropian dhe më pas u diskutua në detaje në Tiranë së bashku me Komisionerin Evropian për Zgjerim, z. Varheji dhe që i referohet rritjes së burimeve financiare për financimin e projekteve rajonale në vendet e Ballkanit Perëndimor, rritjen mbi të gjitha bashkëpunimit ekonomik mes vendeve dhe përshpejtimit të procesit të integrimit në BE”, thotë kryeministri. 

Në kuadër të këtij procesi, Kovaçevski paralajmëron një sërë takimesh, duke përfshirë vizitën e von der Leyen në vend dhe vizitën e tij në Bruksel.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më pas pati përplasje mes partive pozitë – opozitë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.