Ministria e Arsimit dhe Shkencës me sukses ka përfunduar aktivitetet për rikonstruimin e 56 objekteve shkollore që janë pjesë e planit të veprimit të saj për përmirësimin e kushteve për vijimin e mësimdhënies dhe punës, për këtë vit kalendarik, shkruan Indeks.mk

“Mbi 4.5 milionë euro janë duke u investuar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes departamentit për investime kapitale, njësisë së projektit për ndërtimin e 145 sallave sportive dhe rehabilitimin e objekteve shkollore dhe njësisë së projektit për përmirësimin e infrastrukturës në arsimin fillor”, deklaroi për Indeks.mk, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Në 40 objekte shkollash në disa komuna të vendit po kryhen aktivitete ndërtimore për përmirësimin e efiçencës energjetike, përmirësimin e kushteve sanitare dhe higjienike dhe aksesueshmërinë për nxënësit dhe personat me aftësi të kufizuara. Për këtë qëllim është ofruar mbështetje financiare nga Banka Botërore, e cila financon zbatimin e Projektit për Avancimin e Arsimit Bazë.
Njësitë sanitare në shkollat “Liman Kaba” në Luboten, “Petar Zdravkovski Penko” në Butel, “Alija Avdoviç” Batinci – Komuna e Studeniçanit, “Liria” Çair, “Dr. Vladimir Polezhinoski” në Kërçovë, “Dituria” në Sarj, “Drita” dhe “Faik Konica” në fshati Rahçe, “Sali Lisi” në fshati Dobridoll, “Abdil Frashëri” fshati Bogovinë, “Goce Dellçev” në Gostivar, po ashtu edhe në Vizbeg dhe Jabollçisht shkollat janë në përfundim.(Lista e shkollave të rinovuara)

“Në 16 shkolla të tjera, përmes Departamentit për Investime Kapitale në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe projektit për ndërtimin e sallave sportive dhe rehabilitimin e objekteve shkollore, ka rinovuar konstruksionet ekzistues të çatisë, rikonstruksionin e fasadave, është bërë renovimi i dhomave të kabineteve dhe te ngjashme. Këto janë projekte me të cilat pushtet lokale kanë aplikuar në thirrjet për mbështetje të ministrisë dhe janë pranuar si prioritet për realizim”, sqaron ministri.

Siç shton ai, përpjekjet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore janë duke u intensifikuar dhe kjo reflektohet edhe përmes buxhetit të dedikuar për investime kapitale, i cili nga viti në vit po rritet vazhdimisht dhe ka përqindje të lartë të realizimit. Për përkujtim, vitin e kaluar 2022 për këtë qëllim ishte paraparë një buxhet prej mbi 16 milionë eurosh dhe mbi 94% e tij është realizuar.

“Përmirësimi i kushteve të infrastrukturës, së bashku me zëvendësimin e kurrikulave dhe blerjen e teksteve të reja, si dhe ngritja e motivimit të mësuesve për punë përmes të ardhurave më të larta personale dhe mundësive për zhvillim profesional dhe në karrierë, janë pjesë e një strategjie më të gjerë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor dhe të mesëm, miratuar përmes një debati të gjerë publik dhe me pëlqimin e të gjitha palëve të interesuara”, thotë Shaqiri.(D.J/Indeks.mk)