Struga Trim Lum sot luan ndaj Breidablik të Islandës për ndeshjen e vlefshme të play off-it në Ligën e Konferencës.

Por, kush është kundërshtari i Strugës?

Kampionati elitar islandez, aty ku garon edhe Breidablik, kishte nisur që në fillim të muajit prill, ndërsa tashmë ka arritur në javën e 20-të.

Breidablik aktualisht renditet në pozitën e tretë me 38 pikë, plotë 15 pikë mbrapa skuadrës lidere të Vikingur Reykjavik, të cilën skuadër e kishte mundur para fillimit të sezonit, në ndeshjen e SuperKupës së Islandës.

Pas 20 xhirove të zhvilluara, Breidablik numëron 11 fitore, 5 barazime dhe 4 disfata. Ata në xhiron e fundit mundën ekipin e Keflavik me rezultatin 2:1.

Ndryshe aventurën europiane e nisën me ndeshjet paraeliminatore në Ligën e Kampionëve, aty ku fillimisht mundën ekipin e Tre Penne nga San Marino me rezultatin 7:1 dhe më pas edhe ekipin e Buducnost nga Mali i Zi me rezultatin 5:0. Rrugëtimin e sukseseve e vazhduan edhe në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, aty ku eliminuan kampionët e Irlandës, Shamrock Rovers, duke i mundur në të dyja ndeshjet. Në raundin e dytë, ata u eliminuan nga FC Kopenhagen me rezultatin e përgjithshëm 8:3, duke vijuar aventurën e tyre europiane në raundin e tretë kualifikues të Liga Europa, aty ku hasën në pengesën e quajtur Zrinjski, nga e cila skuadër u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 6:3, pavarësisht se fituan ndeshjen e kthimit në shtëpinë e tyre me rezultatin minimal 1:0.

Si golashënues më i mirë aktualisht dallohet Gísli Eyjólfsson, i cili në 17 ndeshje të kampionatit suedez ka realizuar 7 gola, ndërsa gjithashtu 2 gola ka realizuar edhe në ndeshjet europiane, një në kualifkueset e Ligës së Kampionëve dhe një në kuadër të Liga Europa.

Ndryshe vlen të theksohet se pas ndeshjeve para eliminatore kundër Tre Penne dhe Buducnost nga kjo skuadër ishte larguar golashënuesi më i mirë, Stefan Ingi Sigurdarson.