Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 22 gusht, solli vendim për themelimin e një konvikti studentor në Tetovë, të cilin studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës e pritën me ngazëllim.
Edhe rektori i këtij Univesiteti, Jusuf Zejneli e ka përshëndetur atë duke e cilësuar këtë vendim të qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit si një interes publik dhe një plotësim të nevojave të studentëve.
Ai për indeks.mk u shpreh se themelimi i konviktit studentor ne Tetovë, për studentët e Universitetit të Tetovës, paraqet një akt mjaft të rëndësishëm në sferën e standardit të studentëve, mënyrën e realizimit të interesave dhe nevojave të studentëve, të cilët jetojnë jashtë vendbanimit të tyre.
“Së bashku me Ministrinë e Arsimit do të arrimë të plotësojmë një nevojë dhe prioritet të veçantë për studentët tanë. Sigurisht se ecuria e kësaj veprimtarie do të zhvillohet në harmoni me ligjet nga sfera përkatëse, Statutin e konviktit dhe Programin e punës. Fakti i të pasurit një vendosje të sigurt, i kujdesit për shëndetin, i ushqimit të siguruar do të rezultojë në reduktimin e shpenzimeve per studentët duke përbërë kështu në lehtësim të madh për ata dhe do të ndikoië në mënyrë të drejtpërdrejtë në fokusimin e tyre në realizimin e aktiviteteve me interes për ta. Vetëm me punë konkrete, bashkëpunim, investime, mund ta rrisim cilësinë në arsimin e lartë dhe zhvillimin e tërësishëm në vend”, tha Zejneli.
Profesori universitar si dhe analisti ekonomik Arben Halimi u shpreh se me themelimin e këtij kovikti janë vendosur shtyllat e një institucioni të rangut të lartë.
“Realizimi i një detyrimi të rëndësishëm nga ana e qeverisë, lidhur me ndërtimin e konviktit të studentëve pranë Universitetit të Tetovës. Me këtë jo vetëm që përforcohen shtyllat kryesore të një institucioni të arsimit të lartë, por njëkohësisht plotësimi i një prej nevojave themelore të studentëve nga jashtë Tetovës ose edhe Maqedonisë, do i bëjë ata që në mënyre të veçantë ta shijojnë jetën studentore. Fundja të jetuarit në konvikt së bashku me studentë të tjerë, do t’u mundësojë një pavarësi të llojit të vet. Me pak fjalë, realizimi i këtij detyrini të institucioneve ndaj studentëve, edhe pse shumë i vonuar, sërish duhet vlerësuar”, tha Halimi.
Profesori Emri Murati nga Fakulteti Bujqësisë, Bioteknologjisë dhe Biokimisë në Universitetin e Tetovës, u shpreh se se themelimi i këtij konvikti ka qenë një nevojë e domosodoshme dhe e kamotshme, dhe se do të jetë një mundësi shumë e mirë për të gjithë studentat e Tetovës gjatë gjithë cilit të tyre studimor.
“Është një mundësi shumë e mirë për studentat, duke iu ofruar atyre një proces me faktorë shumë të rëndësishëm, si mundësi më të shpejtë për adaptim social si dhe për arsimim.
Nga përvoja e të jetuarit në konvikt studentët do të fitojnë kualifikime dhe kompetenca që do t’ua përforcojnë pavarësinë ekonomike për të ardhmen. Sa u përket kushteve të konviktit është e nevojshme që studentët të gëzojnë të drejta të plota, të kenë biblotekë, dhoma me të gjitha paisjet e nevojshme, si dhe ushqim adekuad, pra t’i plotësojë të gjitha kritet e nevojshme për banim”, tha Murati. /indeks.mk