Një prej dhomave në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike në QKUK është kapluar nga zjarri të mërkurën mbrëma.

SHSKUK-ja ka njoftuar se në të njëjtin repart, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin dhomës së tipit të mbyllur dhe për shkak të tymit ka vdekur.

“Mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, ka njoftuar SHSKUK-ja.

Një paciente tjetër, ekipi kujdestar ku përfshiheshin dy mjekë dhe dy infermiere kanë pësuar shenja të helmimit nga tymi dhe janë trajtuar në Emergjencë.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”