Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan shënoi 952-vjetorin e Betejës së Malazgirtit, një fitore historike për turqit në Anadoll, raporton Anadolu.
“E vërteta nuk duhet harruar kurrë se Malazgirti nuk ishte betejë e zakonshme apo fitore e zakonshme”, tha Erdoğan në një ngjarje në provincën lindore Muş, vendi i betejës gati një mijë vjet më parë.
“Ne nuk kemi shkelur në Anadoll me Malazgirtin. Ne kemi qenë prej kohësh këtu. Malazgirti hapi portën e sovranitetit tonë politik në Anadoll”, tha Erdoğan.
Presidenti gjithashtu përkujtoi me mirënjohje të gjithë heronjtë e fitores, përfshirë Alp Arslanin, sulltanin e Perandorisë Selxhuke.
Kontrolli turk i Anadollit filloi me Betejën e Malazgirtit, e njohur gjithashtu si Beteja e Manzikertit, më 26 gusht 1071, në të cilën turqit selxhukë të udhëhequr nga Sulltan Alp Arslani mposhtën një ushtri shumë më të madhe bizantine.
Fitorja përshpejtoi rënien e Perandorisë Bizantine dhe çoi në vendosjen e më shumë turqve në rajon, duke hapur rrugën si për Perandorinë Osmane, ashtu edhe për Republikën moderne të Türkiyes, e themeluar një shekull më parë.
Qindra vjet më vonë, pushtimi i huaj nxiti Luftën e Pavarësisë së Türkiyes në vitin 1919, në të cilën forcat turke – të udhëhequra nga Mustafa Kemal Ataturku – përfundimisht i dëbuan pushtuesit nga Anadolli.
Nga fundi i vitit 1922, të gjitha forcat e huaja ishin larguar nga territoret, të cilat një vit më vonë u bënë pjesë e Republikës së Türkiyes.