Zbulohet plani i Milanit, nëse dështon në transferimin e Taremit.
Milani është ende në kërkim të një qendërsulmuesi të ri dhe vazhdon të ndjekë Mehdi Taremin e Portos, por ende nuk ka arritur t’i afrohet transferimit të tij.
Ai mbetet objektivi kryesor, veçanërisht pasi kontrata e tij me Porton është vetëm deri në fund të këtij sezoni, por transferimi i tij po del të jetë më i vështirë se sa pritej, transmeton Gazeta Express.
Sipas “O Jogo”, klubi portugez zotëron vetëm 85% të kontratës së tij, kështu që nuk janë të përgatitur të ulin çmimin nën vlerësimin aktual prej 25-30 milionë euro.
Megjithatë, me Taremin që është 31-vjeçar dhe situatën e kontratës së tij, Milani e konsideron këtë të tepruar.
“Sky Sport Italia” raportoi se nëse iraniani nuk arrin në “San Siro”, atëherë “Rossonerët” janë të përgatitur të mbajnë Lorenzo Colombon, i cili kaloi sezonin e kaluar në huazim te Lecce dhe ishte në prag të një kalimi te Monza këtë verë.