Goditja e fundit në merkato, Milan me bomber të ri.

Milan rezultoi të ishte një nga klubet më aktive në këtë merkato të verës.

Në fillim, “Djalli” e nisi me një lamtumirë të dhimbshme si ajo e Sandro Tonalit që vendosi ta vijojë karrierën në Angli te Newcastle.

Megjithatë, paratë e arkëtuara nga mesfushori, u vendosën shpejt në qarkullim nga drejtuesit kuqezinj dhe organikës së trajnerit Stefano Pioli iu bashkuan emra si Pulisic, Loftus-Cheek, Reijnders, Okafor, Chukwueze, Pellegrino, Musah, Sportiello apo edhe Romero. Por, te Milan e kanë rezervuar edhe një tjetër goditje në orët e fundit të merkatos.

Fjala është për sulmuesin e Portos, Mehdi Taremi. Iraniani u përfol edhe për një kalim te Inter, por tashmë duket i qartë në zgjedhjen e tij dhe kërkon vetëm të bashkohet me kuqezinjtë.

Së fundmi, përfaqësuesit e Taremit do të takohen me drejtuesit e Portos dhe do të heqin dorë nga 15% e kartonit që zotërohej nga vetë lojtari.

Në këtë formë, të gjitha paratë që Milan mund të ofrojë për sulmuesin do të shkojnë vetëm në arkat e portugezëve që tashmë mund të “joshen” nga një sulm final i “Djallit”.