Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani e filloi vizitën e tij zyrtare në Indi me një takim me Zëvendëspresidentin e vendit, Jagdeep Dhankar.

Në takim u përshëndetën marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, si dhe u riafirmuan angazhimet e ndërsjella për forcimin e bashkëpunimit, para së gjithash në fushën e lidhjeve ekonomike dhe rrjetëzimit të biznesit. Njëherit, Osmani theksoi se përkundër prioriteteve tona të politikës së jashtme, rëndësi të veçantë ka intensifikimi i bashkëpunimit dhe shfrytëzimi i potencialeve me vendet e Azisë Qendrore dhe Jugore, veçanërisht me Indinë, me të cilën na lidh Nënë Tereza.

“Dallimi në përmasat e dy vendeve, madhësia e popullsisë, si dhe distanca gjeografike, nuk duhet të jetë pengesë për miqësinë e ndërsjellë, marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh. Imazhi dhe vepra e Nënë Terezës do të jetë gjithmonë pjesë e historive tona dhe do të mbetet në kujtesën kolektive të vendeve tona” tha Osmani.

Ndër tjerash, bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, avancimin e kornizës kontraktuese si dhe intensifikimin e shkëmbimeve kulturore dhe afrimit mes dy popujve.

Osmani përshëndeti dhe përgëzoi arritjen e fundit të Indisë në nivel botëror, me uljen e parë të suksesshme në polin jugor të Hënës si një hap serioz dhe një sukses i madh jo vetëm për popullin indian por edhe për mbarë njerëzimin.

Gjatë vizitës zyrtare në Indi, Osmani do të ketë takime me ministrin e Punëve të Jashtme, Subrahmanyam Jaishankar si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të vendit.