Njëri prej lojtarëve më të suksesshëm te Përfaqësuesja e Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka dhënë intervistë të gjatë për gazetën zvicerane “Blick” të enjten. Ai ka folur për ndeshjen e veçantë kualifikuese për “Euro 2024” kundër Kosovës, që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të shtunën në orën 20:45.

Do të jetë ballafaqim i Shaqirit me përfaqësuesen e vendit ku u lind.

Kështu paraqitja e 115-të në nivel përfaqësuesesh, për Shaqirin do të jetë e veçantë.

“Isha vetëm njëvjeçar kur unë dhe familja ime erdhëm në Zvicër për shkak të luftës. Prindërit kanë nëntë vëllezër e motra, kështu që mund ta imagjinoni se sa të afërm do të vijnë ta shohin lojën të shtunën. Kam pasur 50 kërkesa për bileta dhe për fat kam arritur që t’i siguroj të gjitha. Për shumë prej tyre ka qenë e pamundur të vijnë për të parë një ndeshje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Evropën Perëndimore, për shkak të telasheve me viza. Jam shumë i lumtur që do t’i shoh këta njerëz. Familja është më e rëndësishmja dhe besoj se ata do të luten për mua. Por shumë prej tyre duhet të kënaqen me këtë ndeshje. Shumë më kanë shkruar që të mos shënoj gol. Unë jam sportist dhe do të jap gjithçka për Zvicrën. Por nuk do të festoj nëse shënoj gol, për shkak të respektit që kam për Kosovën. Bashkëlojtarët duhet ta bëjnë atë për mua”, ka thënë Shaqiri në intervistën dhënë “Blickut”.

Atmosfera në Prishtinë pritet të jetë e zjarrtë dhe këtë e di edhe futbollisti i suksesshëm.

“Jam i bindur se do të pritemi pozitivisht. Nuk kemi nevojë të frikësohemi nga ndonjë sulm gjatë ecjeve para ndeshjes. Por mund t’i presim vërshëllimat nga një përqindje e vogël e njerëzve. Atmosfera do të jetë ndryshe nga miqësorja e vitit të kaluar në Zuerich. Kosova nuk e ka pasur startin e mirë në kualifikimet e Evropianit dhe kjo më ka befasuar për shkak të kualitetit në skuadër. Me trajnerin e ri, Primozh Gliha, ata duan t’i kthejnë rezultatet pozitive duke nisur nga ne dhe ne duhet të përgatitemi për këtë. Ndryshe nga ndeshja me Rumaninë, duhet të jemi të fokusuar deri në vërshëllimën e fundit”, është shprehur Shaqiri, duke treguar edhe arsyen pse nuk ka vendosur ta përfaqësonte Kosovën në nivel përfaqësuesesh.

“Kur Kosova u lejua të luajë ndeshje zyrtare në vitin 2016 isha shumë i lumtur për shtetin dhe njerëzit atje. Ishte mundësi për lojtarët me rrënjë nga Kosova të ndryshojnë përfaqësuese. Kam qenë në bisedime me njerëzit përgjegjës në atë kohë. Por më pas erdhi Kampionati Evropian me Zvicrën. Dhe për shkak se luajta atje, kjo çështje u zgjidh automatikisht”, ka treguar Shaqiri.

Shaqiri i është gëzuar faktit që ka regjistruar shumë rekorde si lojtar i Zvicrës. Vlerësohet një prej lojtarëve më të mirë në histori të kësaj përfaqësueseje për shkak të momenteve të bukura që ka dhuruar.

Ka thënë se është i lumtur që ende mund të japë kontribut.

“Edhe në moshën 31-vjeçare jam shumë i lumtur që po vij te përfaqësuesja, edhe pse rruga nga SHBA-ja është pak e gjatë. Edhe rikthimi te Chicago do të jetë i vështirë. A do të jem në Kupën e Botës 2026 në SHBA? Ka kohë deri atëherë. Unë e jetoj momentin dhe tani do të luajmë kundër Kosovës. Sigurisht, triumfi në një turne është ëndërr. Për ta arritur këtë të gjithë 25 lojtarët duhet të paraqitemi në nivelin më të lartë dhe të kemi fat. Kjo është rruga që e do Zvicra. Të qëndrojmë në tokë dhe ta bëjmë detyrën fillimisht”, është shprehur ai, duke theksuar se Zvicra është favorite për ta fituar Grupin I.

“Barazimi 2:2 me Rumaninë në qershor kishte shijen e humbjes. Ky është grup i vështirë, por nëse kemi sukses mund të ballafaqohemi edhe me shtete më të forta. Por duhet ta shihni edhe progresin që kanë shënuar shtetet e vogla. Andorra u mbrojt mirë kundër nesh dhe të gjithë duan të fitojnë në këto ditë”.

Shaqiri luan në të njëjtën ligë me Lionel Messin, që është pjesë e Inter Miamit në MLS në SHBA.

“Shumë njerëz po e shikojnë SHBA-në. Ka shumë yje në këtë ligë, por me popullaritetin e Messit, futbolli në këtë shtet është bërë edhe më i rëndësishëm. Në tetor do të luajmë kundër Miamit. Për mua nuk do të jetë dueli i parë kundër Messit, por për bashkëlojtarët e mi do të jetë. Do të ketë shumë pyetje për të”, ka thënë Shaqiri.

Shaqiri në këtë edicion në SHBA ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar pesë asistime në të gjitha garat.

Ai ka kontratë deri në vitin 2024.

Në të kaluarën karrierë ka bërë edhe te Baseli, Bayern Munichu, Interi, Liverpooli, Stoke City, e Olympique Lyoni në Francë.

Por ende nuk e di të ardhmen e tij në futboll.

“Kam parë shumë ndryshime në futbollin arab, por nuk e kam menduar këtë për vete. Ndihem mirë në SHBA dhe kam kontratë deri në vitin tjetër. Pyetem rregullisht për klubin partner të Chicagos, Luganon. Kam stërvitur në Ticino vitin e kaluar para Kupës së Botës dhe jam kënaqur. I përcjell ndeshjet e Luganos me shumë interesim. Futbolli është lëvizje e shpejtë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka përfunduar Shaqiri.