Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), Nenad Çanak, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë manastir serb në Kosovë ngase ato janë ndërtuar në kohën kur nuk kanë ekzistuar kombet në radhë të parë, duke dekonstruktuar vizionin fals të serbëve për trashëgiminë kulturore.

Çanak, i cili ka qenë edhe deputet i Parlamentit të Serbisë, në një paraqitje për televizionin serb “Happy Tv”, ka thënë se mashtrimi më i madh që bëhet nga autoritetet serbe është çështja e identitetit të popullit serb në Kosovë, i cili, nëpërmjet falsifikimit të fakteve po shfrytëzohet për synime politike.

“Në Kosovë nuk ekziston asnjë manastir serb. Ato janë manastire ortodokse. Manastire ortodokse. Pastaj është një gjë tjetër që serbët i kanë përvetësuar. Në çdo shkrim deri në shekullin e XIX njerëzit janë identifikuar sipas religjionit sepse nuk ka pasur kombe. Kombet janë themeluar në shekullin e XIX”, ka thënë Çanaku.

Ndryshe, siç kanë pandehur zyrtarët serbë në Beograd, në Kosovë gjenden rreth 1 mijë e 300 kisha, manastire dhe objekte të tjera, lokalitete dhe tërësi hapësinore, të cilat, siç kanë pretenduar gjithnjë ata, përbëjnë trashëgiminë kulturore të popullit serb në Kosovë.