Fshati Metamorfosi në Greqi po përballet me një situatë tejet të vështirë si pasojë e stuhisë “Daniel”.

Të gjitha rrugët dhe shtëpitë janë përmbytur. Niveli i ujit në fshat ka kaluar 6 metra dhe të gjitha shtëpitë janë të zhytura. Jashtë pushtetit të ujit janë vetëm çatitë e banesave.

“Jemi në mëshirë të Zotit”, ka thënë me dëshpërim një banor i fshatit. Dy të tjerë, të cilët kanë varka peshkimit, po evakuojnë banorët nga shtëpitë e përmbytura.

Pjesë më e madhe e njerëzve në këtë fshat po qëndrojnë mbi çatinë e godinës që shërben si zyrë komuniteti.

Prej dy ditësh, Greqia qëndrore është goditur nga stuhia Daniel që ka shkaktuar përmbytje të mëdha.