Bujqit i kanë korrë e vjelë disa prodhimeve bujqësorë për këtë vit, por shumica prej tyre ende nuk i kanë marrë subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë.

Disa fermerë ankohen se vonesa e subvencioneve po ua vështirëson punën në bujqësi. Ata shprehen se përkrahja nga shteti është e mangët.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci thotë për KosovaPress, se ekzekutimi i mjeteve financiare për bujqit është në proces, ngaqë sipas tij, janë duke u realizuar edhe kontrollet te fermerët.

Ministri Peci thotë se deri tani në xhirollogaritë bankare të fermerëve kanë dalë 30 milionë euro. Por, i tërë buxheti për bujqit këtë viti sipas Qeverisë, është rreth 100 milionë euro.

Fermeri, Mirsad Mazreku thekson se ende nuk i ka marrë subvencionet. Kultivuesi i rrushit ka thënë se shuma e subvencioneve duhet të rritet, sepse kultura e rrushit kërkon shumë investime.

Edhe, fermeri, Shpend Haxhi Mustafa, tha se vonesa e subvencioneve po i shkakton shumë vështirësi edhe në kultivimin e produkteve bujqësore.

Po ashtu, Anid Hoxha shpreh shqetësimin e tij për vonesën subvencioneve. Ai kërkon që subvencionet të dalin sa më shpejt.

Po ashtu edhe pagesat për plehërimin dhe naftën nuk janë proceduar ende për bujqit. Për këtë, fermerët janë të obliguar të sjellin faturat si dëshmi.