Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, kanë diskutuar për situatën aktuale në vend dhe procesin e dialogut.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se u dsikutuar edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten e kësaj jave, si dhe për rrugëtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Ai falënderoi Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, por edhe për mbështetjen e tij. Michael Roth ishte njëri nga nënshkruesit e parë të letrës së përbashkët të 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme të 16 shteteve, në të cilën ishte shprehur mbështetja për Kosovën dhe ishte bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë.

Roth u shpreh falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e mirë, duke ofruar mbështetjen e tij të mëtejme.