Maroku u godite të premten mbrëma nga një tërmet tejet i fuqishëm, të cilin vendi nuk e mban mend. Sipas të dhënave të fundit, më shumë se 2,600 persona kanë humbur jetën, ndërsa përmasat e dëmeve materiale as që mund të merren me mend.

Sapo u publikuar lajmi për tërmetin, ofertat e ndihmës erdhën nga e gjitha bota, por vendi deri më tani ka qenë shumë selektiv për atë që zgjedh të pranojë.

Në njoftimin e djeshëm për shtyp nga Ministria e Brendshme, thuhet se “në këtë fazë të veçantë, Maroku i është përgjigjur ofertave të mbështetjes nga vendet mike: Spanja, Katari, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”.

Spanja ka dërguar një njësi kërkim-shpëtimi me qen nuhatës dhe Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një ekip të ngjashëm, por janë ngritur pyetje se pse Maroku ka qenë i ngadalshëm për të pranuar oferta të tjera.

Ndihma e refuzuar nga francezët, gjermanët…

Ndihma franceze është në gatishmëri, por kreu i një shoqate bamirësie të shpëtimit, Secouristes sans Frontieres, tha se punonjësve të tij të ndihmës nuk u ishte dhënë miratimi nga qeveria marokene, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Algjeria, e cila ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e saj afrikano-verior dy vjet më parë, tha se mund të dërgonte 80 specialistë të shpëtimit nga forcat e saj të mbrojtjes civile. Ka pasur gjithashtu oferta nga SHBA, Tunizia, Turqia dhe Tajvani.

Por vendimi se çfarë lloj ndihme të pranohet ka ngelur në çështjet e sovranitetit dhe gjeopolitikës. Marrëdhëniet midis Francës dhe Marokut janë të tensionuara, pjesërisht si rezultat i përpjekjeve të presidentit francez Emmanuel Macron për t’u afruar me Algjerinë.Maroku gjithashtu refuzoi ndihmën e ofruar nga Gjermania, e Berlini u përpoq menjëherë të thoshte se vendimi nuk ishte i natyrës politike.

“Gjermania nuk sheh asnjë tregues se vendimi i Marokut për të refuzuar ndihmën nga Berlini është i një natyre politike”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë.

“Marrëdhëniet diplomatike mes Gjermanisë dhe Marokut janë të mira”, tha zëdhënësi, duke shtuar se pala marokene falënderoi Gjermaninë për ndihmën e ofruar.

“Jam i sigurt se ata kanë menduar me shumë kujdes se cilat forca mund të dislokohen, ku dhe si mund të arrijnë atje, çfarë aftësish transporti janë në dispozicion”, shtoi ai.

“Polemika e papërshtatshme”

Autoritetet franceze u përpoqën të minimizonin çdo nocion se oferta e tyre ishte refuzuar.

“Kjo është një polemikë e papërshtatshme”, tha Ministrja e Punëve të Jashtme, Catherine Colonna, siç raportohet nga agjencia e lajmeve Reuters.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Marokun. Është vendim sovran i Marokut dhe i takon atij të vendosë”, shtoi ajo.

Maroku thotë se dëshiron të ruajë kontrollin dhe nuk dëshiron të rrezikojë një situatë potencialisht kaotike me dhjetëra vende dhe organizata që vijnë për të ndihmuar.

Por kritiku i qeverisë dhe aktivisti Maati Mounjib tha se kjo ishte përgjigje e gabuar kur nevojitej dëshpërimisht ndihma, veçanërisht në zonat e largëta.

“Nuk është koha për të refuzuar ndihmën”

“Mendoj se është me të vërtetë gabim të këmbëngulësh për sovranitetin dhe krenarinë kombëtare. Nuk është momenti për të refuzuar sepse ndihma është e nevojshme, madje edhe vendet e zhvilluara pranojnë ndihmën e huaj në fatkeqësi”, shtoi ai për BBC.

Hossam Elsharkawi, drejtor rajonal për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), hezitoi të kritikonte autoritetet marokene në një kohë kaq të vështirë, por argumentoi se do të nevojitej në mënyrë të pashmangshme më shumë ndihmë e huaj.

Organizata i jep para degës lokale të Gjysmëhënës së Kuqe, por IFRC ka gjithashtu ekipe të specializuara në gatishmëri, të gatshme për të shkuar në vend.

“Kemi 30 vjet përvojë në këto skenarë, ne i dimë rregullat – ata do të kenë nevojë për ndihmë ndërkombëtare”, tha ai.

“Punonjësit lokalë kanë bërë punë fantastike deri më sot, por në ditën e tretë janë të rraskapitur dhe do të kenë nevojë për më shumë ndihmë”, shtoi Elsharkawi. /Telegrafi/