Policia arrestoi ditën e djeshne këngëtaren e njohur Enca pasi 27-vjeçarja akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike. Pas kontrollit në banesën e saj, në ballkon policia ka gjetur 5 vazo të mbjella me kanabis të mëdha. Gjithashtu bëhet e ditur se edhe i dashuri i saj është arrestuar.

Këngëtarja para bluve të Tiranës është shprehur se i ka për përdorim vetjak, por kush e ka spiunuar këngëtaren?

Burime për AlbEu bëjnë me dije se ka qenë një person nga rrethi i saj që e ka spiunuar në polici, pasi ajo organizon shumë festa private në banesë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.

Sekuestrohen bimët narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.

Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër. Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.