Stërvitja e djeshme e KB Vëllaznimit në Kosovë, solli të papritura. Dy basketbollistë të këtij ekipi janë përfshirë në një mosmarrëveshje që ka përfunduar me rrahje fizike.

Burime të “Indeksonline” pohojnë se bëhet fjalë për Jon Ukajn dhe Burim Zekiqin. Njëri nga basketbollistët ka pranuar edhe trajtim mjekësor, si pasojë e konfliktit. Pas ekzaminimit mjekësor, ka rezultuar të ketë pësuar frakturë në hundë.

Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Mund të konfirmoj se dje në rrugën “Tirana” është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, mbi dyshimin se rreth orës 17:30 ka sulmuar fizikisht viktimën, po ashtu mashkull kosovar me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Lëndim i rëndë trupor“”, tha mes tjerash Elezaj.

Akoma nuk dihen shkaqet e mosmarrëveshjes që ka çuar në këtë incident të pahijshëm.