Për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj, tha eurodeputeti bullgar Ilhan Kyuchuk, i cili do të marrë pjesë në konferencën e organizuar në Parlamentin Evropian, me titull “Bashkimi gjithnjë e më i ngushtë – kontributi i Bullgarisë në integrimin evropian”.

Sipas tij, hyrja në BE do të thotë rregulla dhe përmbushje e detyrimeve.

“Besoj se do të gjendet arsyeja politike dhe RMV do t’i përmbushë obligimet e veta. Këto nuk janë kushte bullgare, por një përcaktim evropian i votuar nga të dyja palët”, komentoi eurodeputeti.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka ndërprerë seancën për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht. Rendi i ditës i seancës në Kuvend për fillimin e procedurës për ndryshime kushtetuese u miratua me 70 vota “pro”, dhe pas shterjes së diskutimit për propozim-vendimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës, Xhaferi e shtyu votimin deri në sigurimin e dy të tretave të shumicës.

Sofja zyrtare vitin e kaluar tërhoqi veton ndaj integrimit europian të vendosur për shkak të një mosmarrëveshjeje historike, gjuhësore dhe identitare me Shkupin.

Por që vendi të fillojë hapjen e grupimeve në negociatat me BE-në, duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë bullgarët në të.