“NË SERBI KA DY LLOJE POLITIKANËSH – ATA QË PUNOJNË PËR RUSINË DHE ATA QË I FRIKËSOHEN RUSISË”

Është një aksion i gjerë për t`i treguar botës se cfarë në të vërtetë po ndodh në Ukrainë – tha politikani opozitar serb, Nenad Çanak, në UT ku u organizua Tribuna me temë “Rrëfime nga Ukraina”.

Agresioni rus në Ukrainë, sipas Nenad Çanakut, paraqet përballjen e dy koncepteve – imperializmit që promovohet nga Kremlini dhe tentativat për demokraci dhe vlera perëndimore që promovohen nga Kievi.

Padyshim, sipas Nenad Çanakut, edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, nuk duhet të jetë indiferent ndaj përballjes së këtyre koncepteve.

“Regjimi aktual në Rusi ka disa bastione shumë të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, që mendoj se janë të dëmshme, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjithë ne që jetojmë këtu, për shkak se injoron vlerat që janë pafundësisht të rëndësishme për jetën e të gjithëve në Ballkan, sic janë, mirëkuptimi, interkulturalizmi dhe respekti i ndërsjelltë”, tha Nenad Çanak, politikan serb.

Politikani Nenad Çanak nuk ka anashkaluar pozicionin e Serbisë karshi Moskës. Sipas tij, Rruga logjike e Serbisë drejt BE-së është të ndërpritet logjika e frikës nga pasojat ruse, duke përmendur me këtë rast zhvillimet e vitit 2016 në Mal të Zi.

“Në Serbi, fatkeqësisht për momentin kemi dy lloje politikanësh, ata që punojnë për Rusinë dhe ata që frikësohen nga Rusia. Ne që I takojmë grupit të tretë, jemi të paktë dhe kjo duhet të ndryshohet. Rruga logjike e Serbisë drejt BE-së është të ndërpritet logjika e frikës. Duhet të zgjedhësh, ose do të jesh vizonar ose ai që do ta varros Serbinë”, tha Nenad Çanak.

Turneu “Rrëfime nga Ukraina” përfshin vende të Ballkanit Perëndimor. Ka nis në Serbi, Kosovë, tani në Maqedoninë e Veriut dhe për të përfunduar në Shqipëri dhe Mal të Zi. Organizatorët thonë se po përpiqen të ngrejnë vetëdijen për luftën e përbashkët kundër totalitarizmit./KlanMacedonia