Inspektorati Policor i Kosovës është deklaruar për një aksion që kanë zhvilluar sot në pesë lokacione nën dyshimet ndaj disa personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.

“Sot që nga orët e hershme të mëngjesit, Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), i mbështetur nga njësi të reagimit të shpejtë të policisë ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, për kontroll dhe sekuestrim të dëshmive që do të gjenden gjatë kontrollit. Operacioni zhvillua në pesë (5) lokacione të ndryshme ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.”

IPK ka njoftuar se janë arrestuar pesë persona, në mesin e tyre edhe një zyrtar policor.

Gjatë kontrolleve të lokacioneve të ndryshme hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar gjësende të ndryshme përfshirë: disa telefona mobil, dy USB para të gatshme, dy pistoleta etj.

Veprat penale për të cilat dyshohen të dyshuarit janë: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, neni 414, “Armëmbajtje pa leje” nga neni 366, “Dhënje ndihme kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale” nga neni 33 dhe “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm” nga neni 294 i Kodit Penal të Kosovës.