Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masën e paraburgimit për dy punonjëset e çerdhes publike në Fushë-Kosovë, “Gëzimi ynë”, të dyshuara për dhunë fizike ndaj një 3-vjeçari.
N.M. dhe N.H. dyshohen për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Ju njoftojmë se pas publikimit të video-incizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmijë në njërën nga çerdhet në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Siç është bërë e ditur nga Prokuroria, fëmijës i janë bërë ekzaminimet mjekoligjore. Në bazë të rezultateve, “dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdor detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”.