Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së punës në Nju Jork u takua me zëvendësndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar.
Në takim u theksua rëndësia e miqësisë së madhe dhe të sinqertë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nga pavarësia e vendit tonë e deri më sot. Kjo, siç u tha, reflektohet nga bashkëpunimi aktiv i shndërruar në një partneritet strategjik mes dy vendeve dhe nga rezultatet e konfirmuara në drejtim të proceseve integruese demokratike, ekonomike dhe strategjike të vendit tonë.
SHBA-të vlerësojnë pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në misionet e paqes, partneritetin e përgjegjshëm në NATO dhe kontributin e vendit në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe me këtë edhe të Evropës.
Për këto arsye, Maqedonia e Veriut shihet si një partner i besueshëm i SHBA-ve. Dhe, në këtë drejtim, u shpreh pritshmëri që të gjitha subjektet politike në vend të kenë parasysh shansin historik dhe unik për një proces efikas të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pas anëtarësimit të plotë në NATO. Rruga jonë evropiane, siç u theksua në takim, mbështetet fuqishëm nga SHBA-të.
Kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme prej tre dekadash nga SHBA-të, në realizimin e të gjitha synimeve kyçe dhe strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për angazhimet personale të përfaqësuesit të lartë amerikan, Eskobar, në këtë periudhë të rëndësishme kur duhet të sigurohet e ardhmja evropiane e shtetit.
“Mbështetja nga SHBA-ve është e një rëndësie të madhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të RMV-së, për prosperitetin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe të gjithë rajonit. Është e nevojshme që në periudhën e ardhshme të merret edhe një vendim shtetëror që do të sigurojë eurointegrimet – edhe Qeveria edhe unë personalisht jemi fuqishëm të përkushtuar për këtë qëllim”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Në takim u diskutua edhe për zbatimin e reformave në vendin tonë, me fokus sundimin e së drejtës dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me këtë theksohet rëndësia e mbështetjes që Maqedonia e Veriut e merr nga SHBA-të në këto procese të rëndësishme për qytetarët dhe për integrimet evropiane