Kosova zuri vend në fjalimet e një sesioni të rëndësishëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York.
Përveç Shqipërisë që përmendi të drejtën e Kosovës për pavarësi, një thirrje për “njohje universale” erdhi edhe nga aleati tjetër i Kosovës – Kroacia.
Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq e përmbylli fjalimin e tij me një thirrje drejtuar kombeve që Kosova të njihet si shtet i barabartë në bashkësinë e kombeve.
“Ne vazhdojmë të avokojmë për njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtave të saj për ekzistencë si anëtar i barabartë i bashkësisë së kombeve. Është në interesin tonë të promovojmë stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij rajoni, si dhe procesin e integrimit europian, i cili besojmë se mbetet vendimtar për prosperitetin e ardhshëm të fqinjëve tanë dhe për të cilin shpresojmë se do të përshpejtohet në vitet e ardhshme”, tha ai.
Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, si mbajtës i Presidencës së Këshillit të Sigurimit, përveçse për Ukrainën, u përplas me Rusinë edhe për Kosovën.
“Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar të Ballkanit Perëndimor e sidomos lindjen e Republikës së Kosovës për të justifikuar ëndrrat e tyre apo makthet e tyre që kanë eksportuar. Pavarësisht sa përpiqeni Kosova, pavarësia e së cilës është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj Karte të OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm. Nëse paqja që zgjat në rajonin tonë sot është e prekshme, kjo ka të bëjë me mësimet e nxjerra për të tejkaluar të shkuarën dhe për të mësuar një të ardhme së bashku përmes bashkëpunimit”, tha Rama.
Në këtë New York ku janë mbledhur udhëheqës nga e gjithë bota, nga Kosova atje është presidentja Vjosa Osmani. /Express/