Goli i Bruno Fernandes sjellë tri pikë të reja për Manchester United.

Manchester United ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Burnleyt me rezultat 1:0, me golin e vetëm në këtë takim të realizuar nga Bruno Fernandes.

Vendasit u treguan më të rrezikshëm në startin e ndeshjes, duke goditur shtyllën me anë të Zeki Amdounit në minutën e 10-të të ndeshjes.

Manchester United gjeti avantazhin në minutën e 25-të të ndeshjes përmes veteranit Johnny Evans, por pas rishikimit nga VAR-i goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Teksa sekondat na ndanin nga përfundimi i pjesës së parë, në skenë doli Bruno Fernandes i cili me një goditje precize arrin të mposht portjerin kundërshtar për t’i dhënë epërsinë “Djajve të Kuq”. (1-0)

Me këtë rezultat të dyja skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes.

Pjesa e dytë u karakterizua me lojë të qetë dhe pa ndonjë rast të madh shënimi për ndonjërën skuadër.

Të gjitha përpjekjet e Burnleyt për të shënuar dështuan, me vendasit që hasën në rezistencë të fortë nga mbrojtja e United.

Manchester United pas kësaj fitoreje renditet në pozitën e tetë në tabelë, me nëntë pikë të grumbulluara pas gjashtë xhirove në elitën e futbollit anglez.