Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, për mediumin serb “Nova.rs” ka thënë se dy agresorë janë vrarë në afërsi të fshatit Banjskë të Zveçanit, ndërsa një është plagosur. Po ashtu ai ka thënë se është arrestuar edhe një sulmues tjetër.
Rashiq ka thënë se nuk ka informata nëse do të ndodhë dorëzimi i pjesëtarëve të grupit kriminel.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku ka humbur jetën në një sulm në afërsi të fshatit Banjskë në mëngjesin e të dielës, ndërsa janë lënduar dy policë tjerë.
“Situata është dramatike. Jam dëgjuar disa herë me Sveçlën, ministrin e MPB-së. Së fundmi ka dalë lajmi se në atë përleshje kanë mbetur të vrarë disa persona. Mëngjesin e sotëm policia u ka dërguar kërkesë për dorëzim, por nuk ka asnjë komunikim apo kontakt mes dy palëve. Policia thërret me megafon sulmuesit, por nga ana tjetër nuk ka përgjigje. Situata rreth manastirit në fshatin Banjskë është ende dramatike, nuk ka shenja se do të qetësohet së shpejti. Tani për tani është qetësi”, tha Rashiq.
“Një numër sulmuesish janë brenda në manastirit, ndërsa disa rreth manastirit. Tani për tani askush nuk e di se kush janë sulmuesit, përveç se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të organizuar. Nga një burim nga MPB-ja kam dëgjuar se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja. Ky armatim kërkon shumë logjistikë. Kjo është ajo që ne dimë tani për tani. Gjëja më e rëndësishme, siç më thonë Kurti dhe Sveçla, është se ne nuk jemi për përshkallëzimin e mëtejshëm, por për një zgjidhje paqësore të situatës”, thotë Rashiq.
Ai shton se sipas informacioneve nga Policia deri më tani janë vrarë dy sulmues, ndërsa të paktën një është plagosur.