Ani pse ka numër të madh të pacienteve në Klinikën e Onkologjisë, aty nuk ka mungesë të barnave.
Kështu po thotë drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.
Ai për Front Online tha se edhe vitet paraprake por edhe këtë vit nuk janë përballur me mungesë të ilaçeve.
Kurtishi ka treguar se ka mungesa ndonjëherë për arsye të vonesave.
“Jemi të furnizuar mirë me barna sidomos këtë vit por edhe vitet paraprake përveç disa barnave të cilat kanë problem me autorizim marketingu të tjerat i kemi në klinikë të cilat janë pjesë e listës esenciale të cilat pacientët i marrin në mënyrë rutinore. Kemi pasur disa ditë mungesa për arsye të vonesave të operatorëve ekonomik”, tha Kurtishi.
Kurtishi ka njoftuar se lista e pritjes për rrezatim së shpejti do të jetë në zero.
“Kemi mbi 250 pacientë që marrin tretman në shërbimin e kimioterapisë ndërsa në shërbimin e radioterapisë ne kemi ngritë numrin e pacientëve të cilët i trajtojmë. Rreth 130 pacientë trajtohen me rrezatim. Listën e pritjes me rrezatim brenda këtyre dy muajve të ardhshëm ta kemi zero”, theksoi Kurtishi.
Drejtori i Onkologjisë thotë se as mungesë të infermierëve nuk kanë.
Ai tregoi se sapo janë punësuar dy.
“Dy muajt e fundit janë punësuar katër infermier në shërbimin e kimioterapisë dhe dy infermier dhe dy të tjerë te radioterapisë dhe janë zbutë nevojat e klinikës tonë. Të ardhmen do të kemi nevojë edhe për staf shtesë pasi do të rrisim kapacitet e klinikës”, tha Kurtishi.