Italiani Gennaro Gattuso është trajner i ri i skuadrës së Marseillet.

“L’Equipe” ka raportuar të mërkurën se marrëveshja mes palëve tashmë është arritur dhe Gattuso do të prezantohet të enjten në krye të Marseillet.

Ai me ekipin francez do të firmosë kontratë njëvjeçare me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.

Gattuso në këtë post do ta zëvendësojë Marcelinhon, i cili u largua javën e shkuar pas telasheve me tifozët dhe mospajtimet me drejtuesit e klubit.

Prej janarit të këtij viti, Gattuso ka qenë i papunë pasi shkëputi kontratën me skuadrën e Valencias.

45-vjeçari ka qenë trajner edhe te Napoli, Milani e Palermo.

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura në kampionatin francez, Marseille ka tubuar 9 pikë dhe zë vendin e 8 në tabelë.