Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Agim Aliu, ka adresuar një varg kërkesash në takim me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Aliu me këtë rast ka kërkuar që të ndryshojë tradita e moskonsultimit si dhe qasja komunikuese, nga ana e Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Komunat nuk janë konsultuar sa i përket për Ligjit për Vetëqeverisjen Lokal si dhe për procesin e amendamentimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.

Madje tha se sipas planifikimeve për vitin 2024, tavanet e caktuara nga Ministria e Financave kanë bërë që të ketë shkurtime të ndjeshme në buxhetet komunale, në kategorinë e investimeve kapitale.

“Ne, Kryetarët e Komunave, kemi bindjen se duhet të ndryshoj tradita e moskonsultimit si dhe qasja komunikuese, duke investuar në një raport komunikimi cilësor nga ana e Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për propozimet për ndryshime apo miratime të nismave të ndryshme legjislative, të cilat afektojnë drejtpërdrejt pushtetin lokal”.

“E tillë ishte edhe qasja për Ligjin për Vetëqeverisjen Lokal si dhe për procesin e amendamentimit të Ligjit për Tatimin në Pronë, për të cilën Asociacioni i Komunave të Kosovës, rrjedhimisht Kryetarët e Komunave, u përjashtuan nga konsultimi, përkatësisht vendimmarrja e përbashkët, kur mirëfilli dihet se ky ligj në gjendjen aktuale, dëmton në vlera milionëshe buxhetin e komunave, duke cenuar kështu edhe autonominë financiare të komunave e në këtë kuptim edhe përgjegjësitë komunale, duke derivuar të hyra më të pakta për komunat, zvogëlim të mundësisë për zhvillim të projekteve që bazë financimi kanë këtë burim”.

“Edhe në pikëpamje të planifikimeve buxhetore për vitin 2024, tavanet e caktuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë bërë që të ketë shkurtime të ndjeshme në buxhetet komunale, në kategorinë e investimeve kapitale, që përcakton vitin 2024, me më pak investime kapitale”.

“Ne, Kryetarët e Komunave në Asociacionin e Komunave të Kosovës, jemi besimplotë se kërkesat tona, propozimet tona, nevojat që ka pushteti lokal në gjithë Kosovën, do të kenë vëmendjen tuaj, do të marrin adresimin e duhur institucional, duke qenë aleatë në vizionin për t’i shërbyer më mirë, bashkëqytetarëve tanë”. /EO/