Sot u zhvillua ora e parë akademike dhe ndarja e indekseve për studentët e rinj në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa në ngjarje folën kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri dhe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, si dhe Biljana Angellova, rektore e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe Svetozar Antoviq, u.d. dekan i Fakultetit të Mjekësisë pranë USHKM-së, transmeton Portalb.mk.

“Ajo për të cilën jam i sigurt është se stafi mjekësor nuk është dhe nuk do të mungojë në vendin tonë, sepse të gjitha vendet janë të mbushura dhe kaq shumë studentë të rinj të mjekësisë po qëndrojnë dhe po mbushin këtë sallë, këtë amfiteatër në të cilin nga sot do të fillojnë studimet në fakultetin e mjekësisë. Gjithmonë investoni në njohuritë tuaja, është ajo që do t’ju formojë si person dhe si profesionist dhe është një investim që do t’ju kthehet shumë herë gjatë gjithë jetës suaj. Njohuria është e vetmja gjë që askush nuk mund ta heqë kurrë nga ju”, tha Kovaçevski.

Cilësia e arsimit të lartë, shtoi Kovaçevski, është e një rëndësie kyçe, të cilën ne e përmirësojmë në bashkëpunim me universitetet dhe partnerët tanë strategjikë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Studentë të mjekësisë. Foto: Qeveria e RMV-së
Studentë të mjekësisë. Foto: Qeveria e RMV-së

“Ne presim rezultate në afat të mesëm, sepse çdo reformë cilësore kërkon kohë, kërkon burime njerëzore dhe financiare. Por drejtimi është marrë – është arsimi maqedonas, duke ndjekur praktikat e suksesshme evropiane. Në vitin 2018, miratuam një ligj krejtësisht të ri për Arsimin e Lartë që garanton lirinë akademike të veprimit dhe shprehjes dhe ofron më shumë të drejta dhe mundësi për stafin mësimdhënës dhe arsimor, si dhe për studentët. Dhe ne tashmë jemi duke diskutuar për përmirësimin e Ligjit dhe kjo do të ndodhë së shpejti. Gjithashtu, aktualisht po punohet për 4 dokumente strategjike kyçe për ndërtimin e një sistemi kombëtar cilësor për arsimin e lartë deri në vitin 2025”, tha kryeministri.

Ndërkohë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, duke ju uruar suksese të gjithë studentëve, si dhe punë të suksesshme profesorëve  dhe gjithë kuadrit që do të angazhohet në nxjerrjen e gjeneratave të reja të qytetarëve të arsimuar akademik theksoi se shëndetësia është një nga segmentet më të rëndësishme shoqërore dhe se shteti dhe qytetarët kanë nevojë për punonjës shëndetësor cilësor.  Kështu që, studentët e Fakultetit të Mjekësisë, siç u shpreh ai, bënë zgjedhje reale, duke u bazuar në radhë të parë në humanizëm dhe gatishmëri për tu ballafaquar me faktorët që sfidojnë jetën dhe shëndetin e njeriut.

“Uroj që të gjithë të prisni momentin e Betimit të Hipokratit dhe më pas të kryeni punën tuaj në mënyrë profesionale dhe etike. Deri atëherë, mësoni nga ata që kanë ndërtuar tashmë shumë breza para jush, por shpërblehuni edhe  jashtë këtyre amfiteatrove dhe sallave të ligjeratave. Arsimi është një proces i përjetshëm, nuk përfundon me marrjen e diplomës. Kjo  është porosia ime  për të gjithë studentët e tjerë në vend”, tha Shaqiri.

Gjithashtu premtoj, potencoi ministri, se “ne si Qeveri dhe Ministri do të vazhdojmë të kujdesemi për të rinjtë me vëmendje të veçantë dhe t’i avancojmë standardet e studentëve. Ju mbetet që të fokusoheni në thelbin e arsimimit – të fitoni njohuri dhe aftësi me të cilat do të jeni në gjendje t’i përgjigjeni plotësisht detyrimeve të cilat Ju presin në të ardhmen”.