Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka deklaruar në seancën e Parlamentit shqiptar se sulmi i grupeve terroriste serbe në veri të Kosovës është një kërcënim për vetë Evropën. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të veprojnë tani për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosovës.
“Sulmi është një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë me pasoja direkte për Evropën tonë të përbashkët. Vrasja e një polici në krye të detyrës e bën më të dhimbshëm dhe më tragjik këtë akt agresioni. Mbështetja dhe solidariteti ynë shkon për popullin dhe shtetin e Kosovës që sot po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës. Ndërkohë që bëhen përpjekje për të ndërtuar një të ardhme evropiane të begatë për të gjithë qytetarët e saj”, u shpreh Hasani gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Ai bëri apel që autorët dhe organizatorët e këtij sulmi të vendosen përpara drejtësisë për mos lejuar përshkallëzimin e situatës.
“Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të nxirren sa më shpejt përpara drejtësisë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të situatës me pasoja të pakthyeshme. Qetësimi dhe depërshkallëzimi i situatës tani është kyç dhe e vetmja rrugë përpara. Duke shpallur ditë zie për agresorët Beogradi zgjodhi t’i fryjë zjarrit të një konflikti të armatosur”, theksoi Hasani.
Për këtë arsye, ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar se “ky është momenti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të veprojnë qartë dhe në mënyrë të vendosur nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës”./Rtsh