Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Cem Ozdemir, ka përgëzuar Qeverinë dhe Policinë e Kosovës për veprimet e tyre pas sulmit terrorist në veri të vendit.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ai dhe ministri i Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci kanë mbajtur konferencë për medie.

“Më leni të shpreh ngushëllimet e mija për humbjen e policit gjatë sulmeve terroriste dhe më lejoni ta shpreh një respekt të thellë për veprimet e matura të Qeverisë dhe Policisë suaj”.

“E di se një situatë nuk është e lehtë. Vizita ime është edhe një shenjë solidarizimi me shtetin e Kosovës”.

Ai ka përgëzuar ministrin Peci dhe ministrinë e tij për punën që ka bërë, ndërsa ka thënë se vendi i Kosovës është në BE.

“Është e rëndësishme që rruga përpara të jete drejt paqes, ku respektohen kufijtë e Kosovës. Normalisht që është e rëndësishme që të flitet për komunitetin serb, por brenda kufijve të Kosovës”, raporton eo.

“Gjermania është miku juaj”, ka përfunduar Ozdemir.

Ndërsa, ministri Peci, ka thënë se Gjermania është një mik i madh I Kosovës që e ka përkrahur atë që nga viti 90 dhe se vizita e ministrit gjerman ka peshë të madhe pas sulmit në veri.

“Gjermania është një mik I madh I Kosovës që e ka përkrahur Kosovën në të gjitha iniciativat që nga viti 90”.

“Bashkë me ministrin, kemi vizituar një numër të madh fermerësh, vreshtarësh në rajonin e Dukagjinit”.

“Si për koincidencë, njërin prej bashkëpunimeve me shtetin gjerman, një marrëveshje ndërkombëtare do ta kemi si rend. Një projekt prej 20 milionë eurosh për zhvillimin rural”.

“Vizita e tij ka edhe një peshë më të madhe pas situatës së vështirë të Kosovës”, ka thënë Peci.