Në Mitrovicës 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një dyqan të përgatitjes së ushqimit të shpejtë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se inspektorët kanë dalë në vend të ngjarjes bashkë me Policinë e Kosovës. Ata fillimisht kanë vizituar pacientët në Emergjencën e Mitrovicës nga të cilët kanë marrë edhe emrin e restorantit ku janë shërbyer me ushqim.
Nga informacionet e marra nga të helmuarit, është mësuar se operatori ekonomik ku kanë marrë ushqim ka qenë “On Top Food” në qytetin e Mitrovicës.
Sipas AUV, është ndaluar menjëherë puna e këtij ‘fast food’ dhe se gjendja higjieniko-sanitare në momentin e inspektimit s’ka qenë e mirë.
Në komunikatë tregohet se janë marrë mostrat në ambientet e përgatitjes, duart e kuzhinierit dhe në produktet që kanë ofruar dhe se lokali do të mbetet i mbyllur deri në nxjerrjen e analizave finale.
Ndërkohë është paralajmëruar se ndaj këtij operatori do të ndërmerren të gjitha masat në bazë të të gjeturave përfundimtare./RTK