Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka dhënë detaje për takimin e Gurpit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel, ku bashkë me Maqedoncin po merr pjesë edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant, Bashkim Jashari.
Maqedonci tregoi se në këtë takim sot ka marrë pjesë edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për të cilin tha se ka kërkuar mbështetje të vazhdueshme.
Pjesëmarrja në këtë takim sipas Maqedoncit ka rëndësi të veçantë pasi që ”vendi ynë vlerësohet si një vend kontribuues jo vetëm për sigurinë dhe paqen në rajon, por edhe më gjerë”.
Tutje ministri Maqedonci theksoi se në çdo takim që po zhvillohet në fokus po është edhe çështja e Kosovës pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
‘‘Sot edhe nesër do ketë takime tjera të ministrave të mbrojtjes do diskutohet edhe çështja e Kosovës sidomos pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës pas aksionit të 24 shtatorit, kjo tregon seriozitetin që është marrë nga vendet e NATO-s sulmi që ka ndodhur në veri të vendit megjithatë takimet që i kemi pasur me ministrat e mbrojtjes së vendeve të gjithë janë të shqetësuar, por edhe të vendosur për të mbështetur vendin tonë”, tha Maqedonci, për RTV21 .