Ka arritur në 158 numri i personave të helmuar si pasojë e ushqimit në lokalin ‘Apetit’ në Malishevë.
Sipas njoftimit të Komunës së Malishevës, situata është nën kontroll dhe po monitorohet në vazhdimësi nga organet kompetente.
Drejtori i Shëndetësisë, Hajdin Berisha dhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Afrim Krasniqi, kanë thënë se janë marrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore.
“Është rritur në 158 raste numri i personave të helmuar, por situata është nën kontrollë dhe po monitorohet në vazhdimësi nga organet kompetente. Sipas drejtorit për shëndetësi, Hajdin Berisha dhe drejtorit të QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, pavarësisht rritjes së numrit të personave të helmuar, situata është nën kontrollë të plotë dhe janë marrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pronarit të lokalit ‘Apetit’, Kujtim Shala.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Shala ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.