vetëm gjuhën e forcës, por kjo shpeshherë është pasqyrim i trishtuar i natyrës sonë.
Fluturimi im i kthimit në Mbretërinë e Bashkuar, u rezervua për të shtunën mbrëma, dhe ia dola mbanë duke e lënë familjen time me zemër të thyer. Teksa prisja të hipja, pati një tjetër alarm. Kush e dinte se hapësira e sigurt në aeroport ishte dyqan pa taksa? Teksa pyesja veten nëse ishte vetëm një dredhi e zgjuar marketingu, mora një mesazh nga vëllai im dhe nga një mik tjetër. Raketa nga e cila ishim strehuar, kishte rënë pikërisht mes shtëpive të tyre. Attila – shoferi i taksisë – më merr në Luton dhe ishte plot me llafe. Kryesisht donte të dinte se pse njerëzit lëndojnë njëri-tjetrin. Sikur ta dija, mbase do ta kisha guximin t’ia citoja Rihannan: “Hesht dhe vozit”. E diela kishte të bënte me pastrimin, të shpërqendroja veten duke parë futboll me miqtë dhe duke telefonuar babanë në Izrael, për t’ia dhënë atij një lajm të mirë të fundjavës: West Ham barazoi kundër Newcastle-it. Jam e lumtur që kati për njerëzit e ndjeshëm në shtëpinë e tij të pleqve është nën tokë. Është i sigurt atje. “Ma përshkruaj golin e dytë”, më pyeti dhe përsëri rrodhën lotët. Jam e tmerrshme në përshkrimin e golave; dhe, në përmbajtjen nga lotët.
Të mërkurën do të flas dhe do të prezantoj në një konferencë në Universitetin Brunel, përkitazi me studimin tim të doktoratës që ka të bëjë me komedinë stand-up të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk e kam idenë se si do ta bëj këtë. E vetmja gjë që më vjen në mendje janë fjalët e filozofit francez, hebreut Emmanuel Levinas, të cilat i kam hasur në kërkimet e mia për komunikim me “tjetrin” – qoftë përmes të qeshurës apo ndonjë mishërimi tjetër të përvojës: “Fytyra e tjetrit në pasiguri dhe në pambrojtje, për mua njëherësh është tundim për të vrarë dhe thirrje për paqe, ‘ti nuk do të vrasësh’”. Momentalisht, asgjë nuk duket më e largët sesa paqja dhe vendimi kundër vrasjes, por nuk do të ketë fare jetë nëse këtë ne nuk e bëjmë.
(Autorja është ish-mbrojtëse e të drejtave të njeriut, gazetare dhe komediane nga Jerusalemi që në Universitetin e Lankasterit përgatit punimin e doktoratës)