Kryeministri Dimitar Kovaçevski, me një postim në profilin e tij në Fejsbuk, uron të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guteresh me rastin e 24 tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.

Në mesazhin e urimit, Kovaçevski porosit se zgjidhja e konflikteve pa dhunë, humanizëm, bashkim dhe kohezion, vlera mbi të cilat mbështetet KB-ja, duhet të jetë udhërrëfyes për sigurimin e paqes në botë dhe mirëqenies së të gjitha kombeve.

“Koncepti i ruajtjes së angazhimeve për respektimin e të drejtave të njeriut, luftën kundër terrorizmit, ndryshimet klimatike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe sigurimin e paqes dhe sigurisë botërore ka qenë aktiv në skenën ndërkombëtare për 78 vjet. Rruga e paqes dhe e ardhmes së sigurt është e vetmja zgjidhje e duhur në këto momente kur njerëzimi po përballet me sfida të shumta”, ka shkruar kryeministri Kovaçevski.

Në vitin 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 24 tetorin, përvjetorin e Kartës së Kombeve të Bashkuara, si ditën “që do t’i kushtohet shpalljes së qëllimeve dhe arritjeve të Kombeve të Bashkuara para njerëzve të botës dhe kërkimit të mbështetjes së tyre” për punën e tyre.

Në vitin 1971, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë plotësuese (Rezoluta 2782 e KB-së) duke e shpallur Ditën e Kombeve të Bashkuara si një shënim ndërkombëtar ose festë ndërkombëtare duke rekomanduar që ajo të shënohet si festë publike nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara.