Sistemi i kujdesit shëndetësor në Gazë është duke u shembur. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se një e treta e spitaleve dhe gati dy të tretat e klinikave të kujdesit parësor atje, tashmë janë mbyllur, për shkak të dëmeve nga lufta ose mungesës së karburanteve.
Pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka mbyllur dy pikat e tij kufitare me Gazën dhe e ka vendosur atë nën rrethim të plotë, duke i bllokuar furnizimet me karburante, energji elektrike dhe ujë.
Kjo i ka detyruar spitalet në të gjithë Gazën, e cila varet nga Izraeli për rreth dy të tretat e energjisë elektrike, të mbështeten në rezervat e tyre me karburante.
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, ka bërë thirrje për presion të shtuar mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e karburanteve, barnave, ushqimit dhe ujit të pijshëm në Gazë. Në të kundërtën, ka thënë ajo, mijëra pacientë janë në rrezik të vdesin.
“Mjekët në shumë spitale në Rripin e Gazës duhet të kryejnë operacione urgjente në korridore, duke përdorur dritën e celularëve të tyre. Ky është skenari më i keq i mundshëm për punonjësit mjekësorë”, ka thënë al-Kaila.
Izraeli i ka bllokuar dërgesat e reja të karburanteve në Gazë, duke thënë se ato mund të vidhen dhe shfrytëzohen nga Hamasi për qëllime ushtarake. Ai, po ashtu, e ka akuzuar Hamasin se ka grumbulluar qindra mijëra litra naftë dhe se refuzon t’i ndajë ato.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të dyja palëve për armëpushim të menjëhershëm, që do të mundësonte dërgimin e sigurt të furnizimeve shëndetësore dhe të tjera në spitale, ku çdo ditë trajtohet numër i madh i të plagosurve nga sulmet izraelite.
Në fillim të kësaj jave, OBSH-ja ka thënë se ka dërguar disa barna dhe furnizime të tjera në katër spitale në Gazën jugore, por se nevojat janë shumë më të mëdha. Spitalet e mbështetura prej saj, po i përdorin gjeneratorët minimalisht – vetëm për operacionet që shpëtojnë jetë, ka thënë agjencia e OKB-së.
Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të bjerë në kontakt me ndonjë mjek apo punonjës tjetër spitalor në Gazë, për të marrë informacione nga dora e parë. Por, REL-i ka biseduar me neurologun pediatrik, Omar Abdel-Mannan, nga Kolegji Universitar i Londrës, i cili është bashkëthemelues i grupit “Gaza Medic Voices”, apo “Zërat e Mjekëve të Gazës”.
Ky grup ka profile në të gjitha rrjetet sociale, ku publikon dëshmitë e mjekëve dhe infermierëve nga spitalet e Gazës.
“Kemi marrë shumë mesazhe me tekst, mesazhe me zë dhe fotografi nga mjekët dhe infermierët në Gazë. Kemi dashur t’iu mundësojmë që t’i tregojnë rrëfimet e tyre. Kemi ndjerë se është e rëndësishme që bota ta dëgjojë atë që ata shohin”, thotë Abdel-Mannan.
Ai është pjesë e një grupi më të madh, i njohur si Nisma e Mësimdhënies e Oksfordit, dhe ka vizituar Gazën çdo vit nga viti 2011.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai sjell dëshmitë e disa mjekëve që ka marrë nga vendi në luftë:
“Kemi parë video dhe kemi marrë fotografi dhe mesazhe se si funksionojnë duke përdorur dritat e telefonave celularë, për t’i ndriçuar pacientët ose mjekët, kur ata janë duke punuar. Atyre po u mbarojnë furnizimet bazë, si antibiotikët, qeset me kripë, produktet e gjakut, të cilat janë të vështira për t’u gjetur edhe në kohë më normale”.
“Por, në kohë lufte, këto janë gjëra thelbësore që ju nevojiten për të shpëtuar pacientët. Në disa spitale, këto kanë mbaruar gati plotësisht. Rezervat private janë zbrazur gjithashtu. Të gjitha rezervat private të furnizimeve me barna i kanë çuar në spitalet kryesore dhe nuk ka mbetur asgjë. Ndihma ka shumë pak”, thotë Abdel-Mannan.
Ai thotë se disa kolegë të tij në Gazë, që edhe vetë kanë humbur familjarë në luftë, janë të detyruar të punojnë nga 24 orë. Sipas dëshmive që përmend, ka raste kur bëjnë operacione pa anestezi dhe përdorin uthull në vend të antiseptikëve. Përveç kësaj, shpesh gjenden edhe para zgjedhjes: cilin pacient ta shpëtojnë e cilin ta lënë të vdesë?!