Jo të rralla kanë qenë rastet e vërshimeve në komunën e Jegunocit, sidomos përreth shtratit të lumit Vardar. Për këtë arsye, Ministria e Mjedisit së bashku me përfaqësues të UNDP-së dhe Komunën e Jegunocit u tubuan në fshatin Tudencë për të shënuar nisjen e pastrimit të shtratit të Lumit Vardar.

Ata thanë se ky projekt është i nevojshëm për shkak të rrezikut që u kanoset banorëve të kësaj zone.

Sipas Ministres së Mjedisit Kaja Shukova, ky projekt do të bëhet me financim të përbashkët të shtetit zviceran përmes UNDP-së dhe një pjesë me mjete të Komunës.

“Një nga hapat më të rëndësishëm për shmangien nga vërshimet është rregullimi i shtretërve të lumenjve dhe me këtë gjë po fillojmë sot. Kjo do të thotë, pastrimi i shtratit të lumit nga materialet ndërtimore që janë hedhur si dhe rregullimin e vegjetimit të vetë shtratit të lumit që e pengon rrjedhën e lumit. Domethënë këtu do të punohet për 8.5 kilometër ndërsa i gjithë projekti në të dy komunat pra në Jegunocit dhe Gostivar do të jetë 17 kilometër.

Gjithashtu do të intervenohet në 12 pikat më kritike me gjatësi prej rreth 1 kilometër”, deklaroi ministrja, Kaja Shukova.