Se cila parti do ti përfaqësojë shqiptarët në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut – përcaktohet nga vetë shqiptarët. Nënkryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Aleksandër Nikollovski në paraqitjen e tij të fundit televizive ka deklaruar se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare i fiton klani i “Pallatit të Bardhë” në krye me Hristijan Mickoskin për partner nga blloku politik shqiptar do të zgjedhin një nga satelitet e tyre, shkruan Politiko.mk

Njëjtë si në kohët e errëta të monizmit kur shqiptarëve u përcaktoheshin kryetar krahinash, drejtor shkollash etj., të cilët ndonëse në të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë dhe nuk reflektonin vullnetin e shqiptarëve, për shkak të dëgjueshmërisë ndaj pushtetit monistë ato shtireshin si përfaqësues të shqiptarëve.

Në të kaluarën ka pasur kështu lloj orvatjesh por kanë rezultuar të pasuksesshme! Ashtu siç luan me vokabular nacionalist dhe ndjenjat e një pjesë të qytetarëve maqedonas për përfitime politike duke kundërshtuar miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe me këtë edhe frenimin e rrugëtimit të vendit drejt BE-së, Klani i “Pallatit të Bardhë” më në krye Hristijan Mickoskin tani po shkon edhe përtej saj, duke venë “fitilin” e zjarrit edhe në marrëdhëniet e mira ndëretnike për të cilat është investuar shumë nga politika pro-evropiane vendore dhe miqtë ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë SHBA-të.

Se si do të duket Qeveria e ardhshme, ende është herët të flitet! Se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët do ta thotë sovrani. Mund që matematikat e VMRO-së të dalin gabim, ashtu si në shumë raste dhe të ngadhënjejë “Fronti” i partive pro-evropiane.

Athua çfarë do të bëjë atëherë VMRO-ja me satelitet e saj të vegjël shqiptar që sot i përdorë si mish për top?

Deri sa në skenën politike shqiptare është Ali Ahmeti, Aleksandri dhe Hristijani – vështirë do ta kenë t’ua ndryshojnë mendjen shqiptarëve, ndërsa satelitet e vegjël të VMRO-së do të mbeten një e kaluar e politikës shqiptare, që historia do t’i njehë si puthadorë të frymës anti-evropiane të Maqedonisë së Veriut.(Politiko.mk)