Nesër në ora 10:00, në sallën e Ohrit në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në Shkup, do të mbahet edicioni i pestë i manifestimit “Ditët e Alfabetit”, një organizim kulturor që ka për qëllim të promovojë dhe vlerësojë kontributet e personaliteteve të shquara të shkencës dhe artit në fushën e gjuhësisë, historisë dhe kulturës shqiptare.
Ky edicion është një homazh për Edi Shukriu, një figurë e rëndësishme e arkeologjisë, letërsisë dhe shtendërtimit, e cila ka dhënë një kontribut të madh në zbulimin, studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe rajonit.
Në këtë manifestim do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, drejtues të institucioneve shkencore dhe kulturore, studiues dhe akademikë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Franca dhe vende të tjera. Fjala e hapjes do të mbahet nga dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në Shkup.
Në këtë manifestim do të prezantohet për “Arkeologjia, Letërsia dhe Shtetndërtimi – Portreti Akademik i Edi Shukriut”, nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, me përkujdesjen e dr. Teuta Shala-Peli.
Gjithashtu në këtë manifestim do të flasin edhe studiues dhe ekspertë të ndryshëm, të cilët do të trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë shkencore dhe artistike të Edi Shukriut. Referuesit do të flasin për rolin e Edi Shukriut, zbulimin dhe avancimin e qendrave prehistorike të Kosovës, për studimet mbi dardanët dhe Dardaninë, për arkeopoetikën dhe krijimtarinë dramatike të saj.
Fjala e mbylljes do të mbahet nga Tahir Latifi, shef i departamentit të antropologjisë në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti Filozofik.