Gjashtë tanke dhe mbi 100 ushtarë izraelit raportohet të kenë hyrë në hapësirat e spitalit Al-Shifa në Gaza.

Siç shkruan BBC, dëshmitarë okularë kanë thënë forcat izraelite kanë hyrë në departamentin kryesor të urgjencës së spitalit.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë, ku thanë se nuk e mbështesin sulmin e spitalit Al-Shifa.

“Nuk duam të shohim të shtëna në një spital ku njerëz të pafajshëm, njerëz të pafuqishëm, njerëz të sëmurë që përpiqen të marrin kujdesin mjekësor që meritojnë janë kapur në mes të zjarrit”,  ka thënë një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, bëhet e ditur se presidenti amerikan, Joe Biden, ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit “diskutuan gjerësisht përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, duke përfshirë shumë fëmijë dhe një numër të qytetarëve amerikanë”.

Sulmi në spitalin Al-Shifa vjen vetëm disa orë pasi ShBA-ja për herë të parë tha se inteligjenca e saj mbështeti pretendimet e Izraelit se Hamasi ka vendosur një qendër komandimi në spitalin Al-Shifa, një pretendim ky i refuzuar vazhdimisht nga grupi qeverisës i Gazës.

Për këto komente, Hamasi ka fajësuar Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se presidenti amerikan është së bashku me Izraelin “plotësisht përgjegjës” për sulmin, duke shtuar se komentet e inteligjencës amerikane i kanë dhënë “dritën jeshile” Izraelit për të nisur sulmin e tij.