Shqipëria zhvillon seancën e fundit në stadiumin ‘Air Albania’, nesër niset drejt Moldavisë për ‘finalen’ e parë të nëntorit.

Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të EURO 2024 kundër Moldavisë më 17 nëntor në transfertë dhe Ishujve Faroe më 20 nëntor në Tiranë.

Ndryshe nga ditët e tjera, këtë të martë 24 lojtarët e thirrur nga trajneri Silvinjo u stërvitën në stadiumin ‘Air Albania’.

Departementi i Komunikimit në FSHF bën me dije se e gjithë skuadra gëzon shëndet të plotë dhe është në formë mjaft të mirë fizike në prag të ndeshjes së parë ndaj Moldavisë.

Skuadra mori ngarkesë të plotë fizike, ndërsa stërvitja e ditës së sotme u fokusua më shumë te loja me top.

Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë paraditen e nesërme drejt Moldavisë, me përballjen që do të luhet më 17 nëntor. Sakaq, me 20 nëntor, Shqipëria do të presë përfaqësuesen e Ishujve Faroe në stadiumin “Air Albania”.