Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Skender Hyseni, i cili po akuzohet për mos raportim të pasurisë, të martën para trupit gjykues tha se ai nuk ka pasur dashje ose qëllim fshehjen e automjetit në emër të bashkëshortes së tij.

Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Pozitën ose mandatin si Koordinator Shtetëror ai tha se e ka pranuar më 21 korrik 2020, ndërsa në shkurt të vitit 2019 ai tha se e kishte blerë veturën.

Në vitin 2019 kur kjo veturë ishte blerë, ai tha se nuk ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë pasi që në atë kohë nuk ka pasur ndonjë post politik apo ekzekutiv në institucione, ndërsa, me rastin e marrjes së pozitës si Koordinator Shtetërorë i njëjti tha se e kishte bërë deklarimin e rregullt të pasurisë.

Pagesën për këtë veturë Hyseni tha se kishte bërë përmes transaksionit bankar nga xhirollogaria e tij e cila sipas tij, është bazuar me faturën e lëshuar nga shitësi i automjetit.

Kjo veturë sipas Hysenit ishte blerë me mjetet e tij të kursyera dhe e njëjta ishte regjistruar në emër të bashkëshortes së tij.

Arsyeja themelore e blerjes së kësaj veture sipas Hysenit ka qenë dhënia në përdorim dhe shfrytëzim të fëmijëve të tij.

Ndërsa, sipas tij, bashkëshortja e tij i kishte autorizuar të katër fëmijët për përdorim dhe shfrytëzim të veturës.

“Sipas dijenisë time më të thellë gruaja ime i ka autorizuar që katër fëmijët me autorizim të veçantë që të mos ndihet asnjëri i diskriminuar dhe sipas kuptimit tim përmes autorizimit për përdorim është bart edhe çdo e drejtë tjetër mbi këtë veturë”, tha Hyseni.

Hyseni tutje tha se ka qenë i bindur se pastaj vetura në emër të fëmijëve është regjistruar edhe në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

“Jo veç që kam menduar por kam qenë i bindur që vetura tashmë do të ishte e regjistruar në emrin e djalit tim të madh me që mund të  vërtetohet qe gruaja ime asnjë kilometër të vetëm në jetën e vet nuk e ka nga veturë dhe nuk di të ngas veturë”, deklaroi ai.

E në qoftë se do të kishte dijeni se automjeti është ende i regjistruar në emër të bashkëshortes Hyseni tha se të njëjtin do ta kishte deklaruar.

Por se vetura ishte ende në emër të bashkëshortes së tij, ai tha se e kishte kuptuar kur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) kishte kërkuar plotësimin e formularit të deklarimit të pasurisë.

“..nga bindja që vetura është bart tek fëmijët nuk më shkuar as menja që duhet të verifikoj çfarëdo qoftë,  ndërsa sa për informacion ditën që e kam dorëzuar nuk më kujtohet data e saktë formularin tek Agjencioni ka qenë paradite, ndërkaq në ora 12 unë kam udhëtuar për Bruksel për një rang të ri të bisedimeve me palën serbe”, tha tutje Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Veturën në emrin e bashkëshortes i akuzuari Hyseni tha se nuk e ka deklaruar dhe shtoi se nuk ka parë ndonjë dokument tjetër të veturës përveç autorizimit.

Sipas tij, për shkak të dinamikes së zhvillimeve të bisedimeve nuk i kishte shkuar në mendje as të pyes familjarët e tij për librezën e veturës.

“Pra nuk thash që nuk kam pasur kohë të shtroj pyetje, por e pasqyrova dinamikën e zhvillimeve ato ditë në përpjeke se preokupimi kryesor ka qenë dikun tjetër e jo tek qëllimi për të fshehur diçka siç po pretendon prokuroria”, tha ai.

Deklarimin e pasurisë i akuzuari Hyseni tha se e ka bërë vetëm për veten dhe bashkëshorten e tij pasi që jeton vetëm me të.

Paraprakisht, në këtë seancë, ka vazhduar dëshminë dëshmitari Blerim Kelmendi, zyrtar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Kelmendi dëshminë e tij e kishte filluar në seancën e 7 qershorit 2023, mirëpo dëshmia e tij ishte ndërpre pasi që prokurori në atë seancë Paulin Pashku kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit nga rasti.

Por që kërkesa e prokurorit për përjashtimin e gjyqtarit ishte refuzuar edhe nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit.

Dëshmitari Kelmendi, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Sabit Sadikaj, tha se sipas legjislacionit në fuqi që rregullon deklarimin e pasurisë dhe dhuratave, zyrtarët e lart janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre pavarësisht burimit.

Sipas tij, APK-ja ka qasje të kufizuar në të dhënat e ARC-së ndërsa në të dhënat bankare nuk ka qasje.

“Ndërsa nëse kemi diçka për të konfirmuar i drejtohemi institucioneve me shkresë dhe ata na përgjigjen”, tha Kelmendi.

Me mandatin të cilin e kanë si APK dëshmitari Kelmendi tha se munden që në ARC të verifikojnë pasurinë në fjalë se ka ndonjë pasuri në ARC e që se ka deklaruar zyrtari në formular.

Sipas tij, tani i akuzuari ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë për vete dhe bashkëshorten e tij.

“Po, prapë po e ceki zyrtari i lart është i obliguar të deklaroj pasurinë e tij d.m.th. pavarësisht asaj a e jep ne shfytyrim tek dikush tjetër a po se jep”, tha Kelmendi.

Seanca e radhas për këtë rast u caktua më 30 nëntor 2023.

Ndryshe, për këto akuza, Skender Hyseni, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.

Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Podvorica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Ndërsa, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Kurse, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Hyseni, kurse kërkesa e avokatit Podvorica është refuzuar si e pabazuar.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.