“Çuditesha me futbollistët në Kore, edhe kur humbisnin qeshnin”, Jasir Asani: Kur e shënova golin kundër Çekisë…
Jasir Asani ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit në “Wake Up”, i cili ka treguar se si u bë pjesë e Kombëtares dhe emocionet që ka përjetuar në ndeshjet e fundit për t’u futur në Europianin 2024.
Që nga 14 qershori Shqipëria do përfaqësohet në fazën finale të Europianit, një destinacion i ëndërruar dhe për qindra mijëra tifozë shqiptarë.
Jasir Asani për ndeshjen e fundit me Ishujt Faro shprehet se nuk e priste askush që do dilnin 0-0, por është i lumtur që arritën të hynin në Europian.
Asani për këtë arritje ia lë meritën trajnerit të Kombëtares, brazilianit Sylvinho, ku sipas tij ai ka sjellë një frymë të re në skuadër dhe është një motiv për të gjithë lojtarët.
“Nuk e paramendoi kush se do dilnim 0-0. Jam njeriu më i lumtur sepse me 7-8 ndeshje kam shkuar në Europian. Është merita e Sylvinhos, ka sjellë një frymë aq të mirë që se kisha parë asnjëherë, e ka bashkuar stafin, çdo gjë e ka bërë një grup. E kam pritur ftesën që në 2017 ftesën për të luajtur me Kombëtaren, që kur isha tek Partizanti. 7-8 vite kam pritur. Një ditë që do nisesha për në Rumani më telefonuan dhe u nisa direkt për në Shqipëri. Unë njoh shumë lojtarë dhe më pyesin për emocionet që të jep Kombëtarja, nuk mund ta përshkruaj që kur fillon ndeshja nxehja”, u shpreh Asani.
Asani ka vendosur plisin në kokë pasi bëri golin e parë ndaj Çekisë, duke rrëfyer emocionet e këtij momenti ai shprehet: Ndeshja ishte shumë e vështirë dhe kur erdhi momenti që mora topin, e dëgjova nga tifozët “gjuaj, gjuaj”, mua mishi kokrra.
UEFA ka zgjedhur si golin më të bukur, golin e Jasir Asanit në duelin ndaj Moldavisë, ku Kombëtarja shqiptare fitoi 2-0. I pyetur për këtë arritje, Asani shprehet: Unë jam i lumtur sepse kur bën gol me Kombëtaren e shef gjithë bota, me ekipin të shohin disa shtete, është emocion ndryshe kur shënon gol me Kombëtaren.
I pyetur se si ndihet që më 14 Qershor do jetë në Gjermani, Asani shprehet:
“Kemi qenë me këmbë në tokë të gjithë, kemi pritur të gjithë për të shkuar në Gjermani. Emocionet nuk mund t’i menaxhosh, ndeshja me Moldavinë ishte emocion i madh. Skuadra ishte e mirë, ne e kemi pasur në Air Albania që deri në minutën e 60-të ishte zor të shënoje gol.“
Asani tregon se në grup do donte të na binte Gjermania, do donte një grup të fortë që t’i tregonte botës një Kombëtare plot surpriza.
“Gjermaninë do doja. Unë e kam thënë që me këtë grup që kemi besoj se na bie një grup i fortë që t’i tregojmë botës se kush jemi, t’i tregojmë botës që kjo Kombëtare ishte surpriza”, tha Asani.
Përsa i përket se me kë nga futbollistët e Kombëtares ka më shumë shoqëri, Asani shprehet se Seferin e ka shok që në vitin 2011 dhe me Ramadanin që e ka njohur që kur luante tek Partizani.
I pyetur se çfarë bëjnë para një ndeshje futbolli, apo si frymëzohen, Asani shprehet:
“Në mëngjes jemi të gjithë të fokusuar dhe fokusohemi në çdo gjë sepse është e vështirë të fitosh, të jesh vetëm ti apo të mendosh që do luash vetëm për vetën. Mund t’ja dalësh për një ndeshje por jo gjithmonë, grupi është suksesi në një ndeshje, mund të jesh Mesi apo Ronaldo, po të jesh vetëm do kesh një herë sukses, por jo gjithmonë.”
Përsa i përket fillimeve të tij në futboll, Asani shprehet se i ati ka luajtur futboll dhe kur e ka parë të luajë në lagje, e ka kuptuar se ka talent, kështu e ka çuar në stërvitje.
“Babi ka luajtur futboll dhe 7-vjeç fillova të luaj në lagje, babi më ka parë që kam talent dhe isha tek shkolla e Vardarit, por nuk pranonin lojtarë të tjerë, fillova vetëm stërvitje, por trajneri më pëlqeu dhe më tha që ti do rrish. Unë ëndërr e kam pasur gjithmonë Kombëtaren.”
Në lidhje me eksperiencës së tij në Korenë e Jugut si futbollist, Jasir Asani shprehet se ka qenë tepër e vështirë.
Gjuha, ushqimi, e shumë arsye të tjera e bënë Asanin të mos ishte i lumtur 3-4 muajt e parë.
“3-4 muaj e parë shumë e vështirtë, gjuha, ushqimi, futbolli, nuk je në Europë, njerëzit ishin shumë ndryshe. Ata janë të lumtur dhe nëse humbi ndeshjen, qeshin, mua më ikën mendja se ne shqiptarët jemi shumë nervozë. Ushqimi korean ishte shumë i keq”, tha Asani.
Përsa i përket familjes, Asani shprehet se kanë qenë shumë mbështetës për të gjatë karrierës në futboll, ndërsa për jetën e tij private, ai tregoi se është në një lidhje dashurie dhe se është gati edhe për martesën.
“Unë dua nuse vetëm shqiptare. Jam gati për martesë. Duhet ta shoh karrierën, i kam thënë që do presim dhe pak”, u shpreh ai.
Në fund të intervistës, Asani e ka mbyllur me një mesazh të bukur për të gjithë:
“Me këtë grup do bëjmë gjëra të mëdha në Gjermani dhe do i bëjmë krenar tifozët!”