
Shqipëria feston sot 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Flamuri kuq e zi valëvitet kudo që ka shqiptarë në gjithë botën.
Anipse nuk lejohet, flamuri shqiptar do të valojë edhe këtë vit në Luginë të Preshevës.
Ngritjen e flamurit kombëtar në Preshevë, Serbia e ka ndaluar me ligj.
Dënimet që i marrin, nuk e ndalojnë kryetarin Shqiprim Arifin ta vendosë flamurin kuq e zi në krye të komunës.
“Në godinën tonë të komunës më 28 Nëntor do të valojë prap flamuri kombëtar”, ka thënë Arifi.
Në një rrëfim për Front Online kreu i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka treguar për aktivitetet e kësaj komune për festën e 28 Nëntorit.
Arifi thotë se këtë vit kanë ndryshuar lokacion organizimet artistike e kulturore.
“28 Nëntorin e festojmë me organizime të ndryshme artistike e kulturore këtë vit. Presheva është pjesë e aktivitetit të organizuar nga Unioni i Bashkive të Komunave Shqiptare në rajon dhe kjo festë festohet së bashku me të gjitha komunat tjera që janë anëtare te unioni në Tiranë. Këtë vit aktivitetet tona i kemi s’postuar në Tiranë dhe të gjitha kanë mundësi për të ardhur”, tregoi Arifi.
28 Nëntori për shqiptarët e Luginës, festohet si të ishte dita e tyre, thotë Arifi.
Ahengjet e atmosfera festive nuk mungon në asnjë shtëpi në Preshevë në këtë ditë.
“Atmosfera tek qytetarët në shtëpitë e tyre dhe ahengjet private është festive dhe normalisht që shqiptarët e Preshevës këtë ditë e ndjejnë si ditë e tyre ku janë së bashku në mendjen, shpirtin dhe historinë së bashku me gjithë shqiptarët e tjerë kudo që janë sidomos atyre në Shqipëri”.
Arifi: Vendosja e flamurit kuq e zi dhe valëvitja e tij nga qytetarët, na rrezikojnë nga serbët
Valëvitja e flamurit kuq e zi në Luginën e Preshevës paraqet rrezik nga serbët.
Vendosja e flamurit në komunë përcjellët nga shërbime të ndryshme shtetërore.
Kreu i Luginës së Preshevës në një intervistë për Front Online thotë se ky nuk është i vetmi rrezik që i përcjell nga serbët.
“Momentin kur vendosi për 28 Nëntor flamurin kombëtar në goditën tonë të administratës publike ka shërbime të ndryshme shtetërore që nga policia e deri në shërbimet sekrete të cilat përcjellin nga jashtë e bëjnë fotografia dhe dokumentojnë kështu vendosjen e flamurit kombëtar të cilën pastaj e procedojnë ligjërisht për t’u dënuar. Rreziku tjetër që nuk e kemi pas vitet e fundit, ndonjë qytetar i joni mund të ndalohet nga policët rrugor duke valuar flamurin kombëtar”, u shpreh Arifi.
Valëvitja e flamurit kombëtar në Preshevë/ Arifi: Të burgosur s’ka pasur, dënime po
Anipse i dijnë pasojat, ngritjen e flamurit kombëtar do ta bëjnë edhe këtë vit preshevarët.
“Të burgosur s’ka pasur e dënime po, për vendosjen e flamurit”.
Kështu thotë për Front Online kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
“Të burgosur për flamurin kombëtar nuk ka pasur por dënime të cilat janë vendosur nga institucionet shtetërore. Unë kam marr disa dënime për këto vite që e kam vendos flamurin por ka qenë edhe nja xhami e cila e ka vendosur në minare flamurin e cila ka marr dënim, dënime ka por burgosje jo”.
Dënime po, por paralajmërime për mosveprime për 28 Nëntorin s’kanë pasur nga serbët.
“Nuk besoj që dikush na paralajmëron neve për mos me bërë këtë veprim nuk ka pas dhe s’do ketë por nëse ka do të jenë procedurat ligjore që qojnë deri në dënime të cilat kanë ndodhur në të kaluarën”, tregoi Arifi.
Shqiprim Arifi: Sulmi në Banjskë, alarm për ne në Luginë që jemi të rrezikuar nga Serbia
Janë bërë 2 muaj që kur u sulmuan Policia e Kosovës nga grupet kriminale të Serbisë në Banjskë.
Ky sulm ka qenë alarm për rrezik për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Kreu i kësaj komune, Shqiprim Arifi ka folur për 24 shtatorin.
“Sulmi i 24 shtatorit në Bansjkë jo vetëm në Luginë të Preshevës por edhe për rajonin ka qenë një alarm që mundët të ndihemi të rrezikuar nga kjo situatë që është zhvilluar në veri por në veçanti për neve”.
Aftësitë e ushtrisë dhe Serbisë kundër shqiptarëve i kemi parasysh, prandaj jemi ndjerë të rrezikuar, thotë Arifi.
“Ne kemi pasur një konflikt ushtarak në 2001 e dimë se çka mundët me bërë Serbia dhe ushtria e saj kundër neve dhe një destabilizim në veri nënkupton menjëherë një mundësi asimetrike në Luginë për t’u hakmarrë, ne kemi pas ndjenjë që jemi të rrezikuar por provokime nga Serbia nuk kemi pas”, ka thënë Arifi.
Kryetari i Preshevës: Nuk po bëhet punë e mjaftueshme për t’i përmirësuar raportet, Serbia jeton në vitet e 90-ta
Fajin për mos rregullimin e raporteve të Preshevës me Serbinë e ka kjo e fundit.
Thotë kreu i Preshevës, Shqiprim Arifi.
Arifi tha se serbët ende jetojnë në vitet e 90-ta.
Sipas tij, lidhja e ngushtë Rusi-Serbi do ta vështirëson jetën e shqiptarëve.
“Nuk po bëhet mjaftueshëm që të përmirësohen raportet as partnerët ndërkombëtar apo edhe të tjerët në Kosovë. Nuk është problemi se çka po bëhet nga dikush por vetëdijesimi i Serbisë, shihet qartë se ende jeton në vitet e 90 të dhe nuk mund të dalin nga kjo mendësi. Deri sa janë të lidhtë ngushtë me Rusinë kjo mendësi do të vazhdojë të jetoj dhe na vështirëson jetën të gjithë neve në Ballkan”, ka përfunduar Arifi.
Ndryshe, më 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tё cilit sivjet i kremtohet jubileu i 550-vjetorit tё vdekjes, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.
Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.