
“Nuk ka asnjë arsye për t’u ngarkuar me çështjen e ndryshimeve të mundshme në përbërjen e qeverisë teknike”, tha kryeministri i ardhshëm teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pas brifingut të fundit me gazetarët si kryetar i Kuvendit.
Ai theksoi se ndryshimet e mundshme kadrovike janë përgjegjësi e partive politike.
“Sidoqoftë, është kompetencë e organeve partiake që kanë kompetencë dhe të drejtë të jenë pjesë e asaj Qeverie, kështu që nuk ka arsye që të komentoj vendimin e dikujt se si do të jetë”, nënvizoi Xhaferi.
Kryeministri në ardhje, Talat Xhaferi potencoi se Qeveria do të propozohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
“Nëse ka propozime, do të jenë. Nuk ka pengesë që të mos jenë. Ligji është i tillë. D.m.th. ai që merr pjesë në atë Qeveri teknike, i tillë është ligji nuk ka asnjëfarë pengesë apo arsye. Ministrat e propozuar nga radhët e VMRO-DPMNE-së sido që të jetë do të gjenden në propozimin për përbërjen e Qeverisë teknike”, deklaroi Xhaferi.
Opozitarja VMRO DPMNE pritet të dalë me emra që do të jenë propozime për Qeverinë teknike. Nga partia e Mickoskit, thonë se nuk presin që Xhaferi t’i shkelë ligjet që në fillim dhe t’i mos fusë në përbërjen e re edhe kandidatët që i ka propozuar opozita.
“Nuk pres që në fillim të shkelë ligje, sepse Paragrafi 2 i Nenit 3 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë është shumë i prerë dhe i qartë. Në atë thuhet se mandatari, kuptohet se ai duhet të jetë Talat Xhaferi, ia dërgon Presidentit të vendit propozimin për Qeverinë teknike me emrat e ministrave të propozuar për të gjitha ministritë, në mënyrë që të mos ketë asnjë përjashtim, të paktën nuk ka pasur deri më tani. Jemi mësuar me përjashtime nga kjo garniturë, por le të shpresojmë se nuk do ta nisë mandatin e tij si kryeministër duke shkelur ligjin”, theksoi Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Analisti Sasho Ordanoski në emisionin “Politikanët” lidhur me obstruksionet e opozitares VMRO-DPMNE ndaj votimit të qeverisë teknike dhe Talat Xhaferit si kryeministër shqiptar thekson se VMRO-DPMNE po e problematizon Xhaferin, i cili ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e tyre, dhe atëherë nuk ishte problem për ta.
“Mendoj se është turp të propozosh ministrat e tu pa votuar një qeveri të tillë, është një qëndrim i propagandistik që VMRO-DPMNE po e praktikon për momentin. Ata e problematizojnë Talat Xhaferin, i cili ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e tyre dhe atëherë nuk ishte problem për ta. Tani ata kanë një problem”, nënvizon analisti Sasho Ordanoski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kabineti qeveritar pritet të japin dorëheqje nesër (e enjte) për t’i hapur rrugë votimit të qeverisë teknike. Sipas njoftimeve, pas dorëheqjes së Kovaçevskit do të ketë dy-tri ditë diskutim në Kuvend dhe më pas të dielën – 28 janar do të votohet për kabinetin teknik qeveritar.
Kjo do të jetë Qeveria e tretë teknike, sipas Marrëveshjes së Përzhinës. Para Xhaferit, kryeministra teknikë ishin Emil Dimitrievski dhe Oliver Spasovski. E para drejtohej nga Emil Dimitriev dhe për shkak se nuk mund të formohej për një kohë të gjatë, ai drejtoi qeverinë teknike nga 18 janari 2016 deri më 1 qershor 2017. Qeverinë e dytë teknike e ka udhëhequr ministri aktual i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski nga 3 janari 2020 deri më 30 gusht 2020.
Më 2 qershor 2015, katër partitë më të mëdha të asaj kohe arritën një marrëveshje që 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare me shteti të drejtohet nga një Qeveri teknike e cila mbi të gjitha do të jetë përgjegjëse për të zhvilluar zgjedhjet. Marrëveshja e Përzhinës është nënshkruar nga liderët e katër partive më të mëdha politike të asaj kohe: Zoran Zaev – LSDM, Nikola Gruevski – VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti – BDI dhe Menduh Thaçi – PDSH.(Politiko.mk)